×
  • Lajme
  • Lajme

    Gratë e komuniteteve në Kosovë dënojnë sulmin ndaj gruas rome në Lipjan

    Reporteri
    30 Maj 2019 | 12:15

    Rrjeti i Organizatave të Grave Rome, Ashkali dhe Egjiptase të Kosovës (RROGRAEK), përmes një reagimi për media ka dënuar ashpër sulmin i cili ndodhi një ditë më parë në Lipjan, ku një grua e komunitetit rom u sulmua, nga disa të rinj të këtij qyteti, shkruan Reporteri.net.


    Sipas kësaj organizate, kjo sjellje brutale ndaj një gruaje, e cila vjen nga komuniteti rom, e e cila është dyfish e diskriminuar, së pari si grua dhe më pastaj si komunitet pakicë, duhet ta marrë dënimin e merituar dhe të mos mbetet vetëm në suaza të deklaratave.

    “Përderisa Policia e Kosovës, ka deklaruar se gruaja e cila ishte riatdhesuar nga Belgjika në Kosovë në vitin 2011, nuk dyshohet për ndonjë aktivitet kriminal, por e cila u sulmua pasi që grupe të ndryshme online, kanë alarmuar rrejshëm për rrezikun që pretendohej se ajo paraqiste, nuk duhet të mbetet me kaq”, thuhet në reagim.

    Organizata bën thirrje që rasti  të qartësohet deri në fund dhe akterët të cilët ushtruan dhunë ndaj gruas rome të marrin dënimin e merituar.

    RROGRAEK po ashtu fton institucionet përkatëse që të marrin rastin parasysh dhe të marrin masa disiplinore ndaj sulmuesve,duke të trajtuar rastin deri në fund. RROGRAEK po ashtu u bënë thirrje institucioneve arsimore në Kosovë, që të kenë kujdes me fëmijët, tek të cilët të mos ketë nxitje të urrejtjes ndaj qytetarëve të komuniteteve tjera dhe të ketë sulme në baza racore, si në rastin me gruan e komunitetit rom. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!