×
  • Lajme
  • Lajme

    Sa kushtojnë veturat që vozisin ministrat e Kurtit?

    Reporteri
    06 Janar 2022 | 20:00
    Sa kushtojnë veturat që vozisin ministrat e Kurtit? - Reporteri.net
    Grafikat: Pajtim Morina/Reporteri.net

    Autor: Albert J. Limani


    Disa nga ministrat e Qeverisë së Kosovës vozisin vetura të shtrenjta, disa i kanë në pronësi bashkë me bashkëshortët e tyre, ndërsa ka prej tyre që nuk kanë fare veturë, sikurse edhe vetë Kryeministri Albin Kurti që deklaron të mos posedojë fare në pronësi të tij një të tillë. 

    Gazeta Online Reporteri.net ua sjell të përmbledhura vlerën e veturave të deklaruara në Agjencinë Anti-Korrupsion nga vetë Ministrat e Qeverisë Kurti.

    Shumica e tyre në formularët në AKK të vitit 2021  kanë treguar vetëm për markën e veturave dhe vlerën sipas tyre, por jo edhe modelin/tipin e tyre, apo vitin e prodhimit. (Në mungesë të deklarimit të modelit të veturave që i posedojnë disa nga ministrat kosovarë, veturat e paraqitura në grafiket e mëposhtme janë vetëm ilustrim i markave).

    Veturat më të shtrenjta del se kanë ministret Artane Rizvanolli, Arbërie Nagavci dhe ministri Elbert Krasniqi, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Ministrja e Ekonomisë, ka deklaruar se posedon veturë të tipit “Renault Kdjar”, të cilën sipas deklarimit të pasurisë, e ka blerë 18 mijë euro në vitin 2016.

    Një veturë me çmim të njejtë e vozitë edhe Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, të cilën e ka blerë përmes një kredie në vitin 2018, ajo nuk e ka treguar tipin e veturës që vozitë.

    Edhe ministri Elbert Krasniqi që drejton Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, është në mesin e ministrave që vozisin vetura të shtrenjta.

    Krasniqi ka një veturë e cila ka çmim prej 12 mijë euro, ndërsa sipas deklarimit e ka blerë nga kursimet në vitin 2017.

    Ministri i Kulturës nuk ka veturë, e vozitë gruaja

    Ministri Hajrullah Çeku, duket se nuk është fare ‘marakli’ i veturave, pasi ai deklaron se nuk posedon një të tillë. Gjithsesi bashkëshortja e tij e që duket se e vozitë edhe bashkëshortin, ka një veturë të tipit “Dacia” që ka vlerën e 12 mijë eurove, e që sipas deklarimit e ka blerë me kredi.

    Veturë me çmim 11 mijë euro vozitë edhe ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ai ka deklaruar në Agjencinë Antikorrupsion çmimin e veturës, por jo edhe llojin.

    Gërvalla me veturë 10 mijë euro

    Ministrja e Jashtme Donika Gërvalla, vozitë një veturë japoneze “Toyota Avensis”, që e ka blerë 10 mijë euro në kohën sa nuk ishte e kyçur në politikë nga të ardhurat personale në vitin 2016.

    Haxhiu me veturë të përbashkët me bashkëshortin 

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar në AAK se ka një veturë “Seat Leon” të cilën e vozitë bashkë me bashkëshortin e saj.

    Ajo ka deklaruar se veturën e ka blerë 9700 euro në vitin 2020, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Liburn Aliu në kredi për BMW-në e tij

    Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, vitin që lam pas ka marrë kredi për të blerë veturë të tipit BMW në vlerë 6500 euro. Por, ai nuk e ka treguar modelin e saj.

    Nga ana tjetër, bashkëpartiaku i tij, Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, nuk ka deklaruar se ka veturë të tij personale, por vetëm e ka paraqitur atë të bashkëshortes së tij te cilën e pohon se e ka blerë me kredi në vlerë 4 mijë euro.

    Ministrat me vetura modeste

    Ministri i Financave, Hekuran Murati posedon një veturë modeste e cila është prodhuar në vitin 2003. Ai ka treguar se veturën e ka blerë 3100 euro në vitin 2010, ndërsa nuk ka deklaruar tipin e saj.

    Një veturë edhe më modeste se Murati, e vozitë ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari. Ajo që nga viti 2005 vozitë “Ford Fiesta” të cilën e në AKK e ka deklaruar se e ka blerë 3 mijë euro.

    Mehaj me veturë elektrike

    Ndonëse është ministër i mbrojtjes, Armend Mehaj duket se mendon shumë për ambientin, pasi ai ka një veturë elektrike.

    “Citroenin” elektrik Mehaj e ka blerë në vitin 2014 dhe vlera e tij është 2 mijë euro.

    Kryeministri dhe Ministri i tij pa vetura

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ka deklaruar fare veturë, ashtu siç ka bërë edhe  Ministri i Zhvillimit Rajonal që vjen nga komuniteti turk, Fikrim Damka.

    Në deklarimet e pasurisë të asnjërit prej tyre, në Agjencinë kundër Korrupsionit, nuk figuron të kenë deklaruar vetura në pronësi të tyre, por as të bashkëshorteve. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!