×
  • Lajme
  • Lajme

    Sa larg janë Kosova dhe Serbia nga plani i BE-së për normalizim të marrëdhënieve?

    Reporteri
    26 Janar 2023 | 10:02

    Në parim, Serbia tha se e pranon propozimin/planin e Bashkimit Evropian për dialogun, i cili ende është i panjohur për opinionin, ndërsa nga Kosova u kërkua mirëkuptim më i madh rreth atij dokumenti.

    Tani duket se të dyja palët kanë ndryshuar pozicionet.

    “Kurioziteti  këtu është përshtypja se të dy palët, Serbia dhe Kosova, kanë ndryshuar disi pozicionet: që nga vjeshta e vitit 2022, presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe zyrtarë të shumtë shtetërorë kanë pohuar se i ashtuquajturi plan franko-gjerman, i cili u mbështet nga BE-ja është i papranueshëm për Serbinë.

    Nga ana tjetër, dukej se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e priti krahëhapur”, shkruan Zëri i Amerikës në një shkrim të ditës së sotme.

    Megjithatë, ishte prej tij që të dërguarit perëndimorë kërkuan një qasje më konstruktive.

    Derek Chollet, këshilltar në Departamentin e Shtetit Amerikan, i ka kërkuar kryeministrit  Kurti që të pranojë propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    “Kam folur me kryeministrin Kurti për propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe kam kërkuar që Kosova ta pranojë. Tema kryesore e bisedës ishte partneriteti ynë dhe qëllimi i përbashkët për përparimin e Kosovës në procesin e integrimeve evropiane dhe euroatlantike”, shkroi Chollet të martën në Twitter.

    Ai tha se me Kurtin ka biseduar edhe për çuarjen përpara të diskutimeve për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

    Këtë kërkesë e përsëriti dje, edhe zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price. Price ka deklaruar se mesazhi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën është që sa më shpejtë të fillojë procesi për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.

    Kështu u shpreh ai në një konferencë për media, teksa shtoi se SHBA-të inkurajojnë përfaqësuesit serbë të kthehen sa më shpejtë në institucionet e Kosovës.

    “Ne kërkojmë nga palët që të përmbushin përgjegjësitë e tyre. Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjet të cilat tashmë i kanë nënshkruar përmes procesit të dialogut duke përfshirë formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe”, u shpreh ai.

    Kujtojmë se në Kosovë po qëndron, i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

    Ai pas një darke pune që pati mbrëmë me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendësin e tij, Besnik Bislimi, tha se se me ta pati diskutime të hapura dhe intensive. Lajçak tha se me Kurtin e Bislimin u dakorduan për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara.

    “U ktheva në Kosovë sot për t’i vazhduar diskutimet e mia të sinqerta, të hapura dhe intensive me kryeministrin Albin Kurti dhe zv.kryeministrin Bisnik Bislimin, për hapat e ardhshëm dhe rrugën përpara për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne gjithashtu u dakorduam që të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut, të zbatohen plotësisht”, shkroi Lajçak.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deri më tani nuk ka dhënë detaje për takimin që kishte mbrëmë me Lajçakun dhe as për bisedën që një ditë më parë kishte me Chollet.

    “Situata aktuale të kujton një lloj vallëzimi të Kurtit dhe Vuçiqit – njëri thotë se do të bëjë diçka, pastaj tjetri bën dhe në fund të dy tërhiqen. Askush nuk dëshiron të shihet si ai që u dorëzua i pari”, ky është asocimi me situatën aktuale dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës nga”, thotë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe, Michael Kirby, diplomat në pension dhe ish-ambasador i ShBA-së në Beograd.

    Epilogu i këtyre bisedimeve beson ai,  duhet të jetë përfundimisht një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes palëve.

    “Mendoj se të dy duan të japin përshtypjen se janë të detyruar pa dëshirë të bien dakord për një plan të papërsosur. Dhe kështu duhet të jetë, sepse nëse do të ishte perfekt për njërën palë, tjetra do të ishte jashtëzakonisht e pakënaqur. Kështu që është më mirë që të dyja palët të jenë mesatarisht të pakënaqur”, beson Kirby. /Reporteri.net/

    Lajçak pas takimit me Kurtin e Bislimin: U pajtuam për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!