×
  • Lajme
  • Lajme

    Salih Mustafës i vazhdohet paraburgimi nga Specialja

    Reporteri
    26 Janar 2021 | 10:45

    Gjykata Speciale në Hagë ka marrë vendim që të vazhdojë masën e paraburgimit ndaj ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.


    Vendimi për vazhdimin e paraburgimit për Mustafën është publikuar mbrëmjen e kaluar, teksa i njëjti po vazhdon të përballet me akuzat e shumta të cilat i janë bërë në kuadër të kësaj gjykate.

    Në vendim thuhet se gjykatësi i procedurës paraprake në përputhje me rrethanat konstaton se kushtet e propozuara, duke përfshirë çdo kufizim shtesë të vendosur nga gjyqtari i procedurës paraprake, do të zvogëlojnë në mënyrë të pamjaftueshme rreziqet e pengimit të procedurave Speciales për kryerjen e hetimeve të mëtejshme dhe për këtë arsye, Mustafa duhet të mbetet në paraburgim.

    Salih Mustafa u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar në shtëpinë e tij që gjendet në periferi të Prishtinës, pasi i ishte konfirmuar aktakuza për dyshime për kryerjen e krimeve të luftës, përfshirë këtu veprat penale si: ndalim arbitrat, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

    Arrestimi i Mustafës ishte i pari që nga themelimi i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar – që njihen edhe si Gjykata Speciale – në vitin 2015.

    Mustafa u paraqit për herë të parë para gjykatës saktësisht më 28 shtator të vitit 2020, ku edhe pati theksuar se nuk dëshiron të deklarohet lidhur me akuzat të cilat po i bëhen.

    Aktakuza e konfirmuar e ngarkon Mustafën për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme. Krimet për të cilat akuzohet Mustafa, sipas aktakuzës, dyshohet se janë kryer gjatë muajit prill të vitit 1999 në një qendër ndalimi në fshatin Zllash që ndodhet në rrethinën e Komunës së Prishtinës. Gjatë seancës publike është thënë se “ekziston dyshimi i bazuar mirë se zoti Mustafa është përgjegjës për kryerjen e këtyre krimeve”

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!