×
  • Lajme
  • Lajme

    Senatori amerikan: Kosova ta de-eskalojë situatën në veri ose rrezikon të humbasë mbështetjen e Kongresit

    Reporteri
    02 Qershor 2023 | 10:08

    Anëtari i Komisionit për Punë të Jashtme të Senatit Amerikan, Chris Murphy, ka dhënë detaje për telefonatën që kishte mbrëmë me kryeministrin Kurti.

    Murphy ka thënë se Kurtit ia ka përsëritur kërkesën që de-eskalojë situatën në veri të Kosovës ose të rrezikojë mundësinë e humbjes së mbështetjes së Kongresit.

    “Unë dhe senatori Ricketts unë folëm në telefon me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Unë jam një mik i mirë i Kosovës, por ritheksova bindjen time se Kosova duhet ta de-eskalojë situatën në veri të Kosovës ose të rrezikojë mundësinë e humbjes së mbështetjes së Kongresit”, ka shkruar Murphy në Twitter.

    Murphy, po gjatë ditës së sotme tha se Shtetet e Bashkuara duhet të angazhohen “në mënyrë agresive” në Ballkan dhe fajësoi autoritetet e Kosovës për tensionet aktuale në veri të vendit.

    “Ne duhet të angazhohemi në mënyrë agresive në Ballkan për të mbrojtur paqen, sepse tani nuk mund ta përballojmë shuarjen e zjarreve të vërteta në atë rajon”, tha Murphy në një intervistë për National Journal, pas kthimit në Uashington nga një turne ballkanik.

    Kujtojmë se Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pas një bisede telefonike që ka zhvilluar mbërmë me Zëvendëskëshilltarin për Siguri Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në administratën e Biden, Jonathan Finer, u zotua se do të bashkëpunojë me SHBA-të për t’i depërshkallëzuar tensionet në veri të vendit derisa konfirmoi se është i hapur për organizimin e zgjedhjeve të reja, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Nevoja për zgjedhje i është theksuar të enjten edhe presidentes së shtetit, Vjosa Osmanit, e cila tha se Kosova është e gatshme ta shqyrtojë si mundësi.

    Në takim me Shefin e Diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, presidentin francez Emanuel Macron si dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz, Osmanit iu bë e ditur se shtetet e BE-së kërkojnë zgjedhje të reja në komunat në veri.

    Siç njoftoi Borrell, karshi kësaj kërkese, BE kërkon edhe që serbët të kthehen në institucione si dhe të formohet Asociacioni.

    “Dështimi për ta bërë këtë, do të ketë pasoja të rënda për marrëdhëniet tona”, tha Borrell. /Reporteri.net/.

    Kurti thotë se mori një telefonatë nga Amerika, pajtohet për zgjedhje të reja në veri

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!