×
  • Lajme
  • Lajme

    Senatori amerikan pas takimit me Kurtin: Bashkëpunimi i SHBA-së me Kosovën më vendimtar se kurrë

    Reporteri
    20 Maj 2022 | 16:11

    Senatori amerikan, Bob Menendez, njëherit udhëheqës i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, është deklaruar për pritjen që i ka bërë dje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Kongres.

    Përmes një postimi, Menendez ka dhënë zotime të forta për angazhimin e SHBA-së për sigurinë e Kosovës dhe rajonit.

    “Kisha nderin të prisja kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. I shpreha zotimet e palëkundura për sigurinë e Kosovës dhe shqetësimet e lidhura me veprimet destabilizuese të Rusisë në Ballkanin Perëndimor. Angazhimi i SHBA-së ndaj Kosovës dhe rajonit është më krucial se kurrë”.

    Ndërkaq, Kurti pas takimit ka thënë folur për temat kryesore që u folën gjatë këtij diskutimi.

    “Përkushtimi afatgjatë për siguri dhe paqe i Republikës së Kosovës, si dhe rëndësia e anëtarësimit të Kosovës në NATO, ishin temat kryesore në takimin ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti me senatorin amerikan, Bob Menendez, njëherit Kryetar i Komisionit të Senatit të Shteteve të Bashkuara për Marrëdhëniet me Jashtë”.

    Kurti ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen dhe përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si partner i pazëvendësueshëm i Republikës së Kosovës. Në veçanti për ndihmën me trajnime e pajisje për ndërtimin dhe zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Duke i falënderuar për këtë bashkëpunim që vazhdon ende, kryeministri theksoi se Kosova e mirëpret përkrahjen e mëtejme.

    Në takim u bisedua për objektivat e përbashkëta, për ta bërë Forcën e Sigurisë së Kosovës forcë moderne, që është e gatshme për mbrojtjen e vendit dhe kontributdhënëse për paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal e global. Kryeministri Kurti theksoi solidarizimin e Republikës së Kosovës me popullin e Ukrainës, duke u rreshtuar përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë. Ai e njoftoi për ofrimin e strehimit dhe kushteve për punë për 20 gazetarë të Ukrainës dhe mundësinë që të strehojmë deri në 5000 refugjatë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!