×
  • Lajme
  • Lajme

    Serbi i akuzuar për krime lufte kërkon të gjykohet nga Gjykata Speciale

    Reporteri
    26 Shkurt 2021 | 16:13

    Njëri nga dy të akuzuarit për krime lufte ndaj popullatës civile më vitin 1999 në fshatin Nerodime e Epërme, Komuna Ferizajt ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, që lënda e tij të veçohet dhe rasti i tij të gjykohet nga Gjykata Speciale e Republikës së Kosovës në Hagë.


    Këtë kërkesë i akuzuari D.Sh e bëri pasi që sipas tij një pjesë e lëndës së tij është në këtë gjykatë dhe se gjykimi tij atje është në interes të drejtësisë.

    D.Sh. bashkë me Z.K. akuzohen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), se në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë, ushtrisë dhe paramilitarë serb kishin kryer veprën penale krime lufte, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Lidhur me propozimin e ta akuzuarit D.Sh. kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Musa Konxheli tha se Departamenti Special i kësaj gjykate është kompetent për gjykimi e këtij rasti.

    “Momentalisht na jemi kompetent dhe nuk mujna me largu kompetencën prej vetes, nëse kërkon Tribunali apo kushdo çoftë na s’e kemi problem”, tha ai.

    Ndërkaq lidhur me këtë propozim, prokurori i rastit, Valdet Gashi tha se e kundërshton një propozim të tillë pasi që Republika e Kosovës ka institucionet e veta të cilat zhvillojnë procedurat gjyqësore.

    “Republika e Kosovës, ka institucionet e veta, krimi është kryer në Kosovë, viktimat gjenden në Kosovë, hetimet janë kryer në Kosovë dhe vërtetohet se i akuzuari është kryerës i kësaj vepre penale”, tha Gashi.

    Seanca e radhës ku pritet të ipet mbrojtja e të akuzuarve, është paraparë të mbahet më 3 mars 2021, nga ora 9:30.

    Në nën tjetër, për shkak të pamundësisë së sigurimit të dëshmitareve Ivica Stanojkovic dhe Halim Krasniqi, prokurori Gashi propozoi që të konstatohen të lexuara deklaratat e tyre.

    Gjykatësi Konxheli tha se dëshmitari Halimi është në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe momentalisht nuk kemi mundësi ta marrin më pyetje ndërkaq dëshmitari Stanojkovic gjendet në Beograd dhe sipas njoftimit nga babai i tij i njëjti nuk mund të vij në Kosovë për shkak të punës.

    Mirëpo nëse palët konsiderojnë se dëshmitë e tyre janë shumë domethënëse për procesin do të mendojnë ndonjë mënyrë për dëgjimin e tyre.

    Prokurori Gashi deklaroi propozoi që deklaratat e tyre të konsiderohen të lexuara për shkaqet që pengojnë prezencën e tyre në gjykim.

    Me këtë u pajtuan edhe pala e dëmtuar edhe mbrojtësi i të akuzuarit D.Sh. avokati Zhikovin Jokanoviq.

    Mirëpo këtë e kundërshtoi avokati Dejan Vasiq, i cili tha se një propozim i tillë duhet të refuzohet pasi që prokurori ka bërë lëshim kur gjatë dëgjimit të këtij dëshmitari në prokurori nuk e ka ftuar edhe mbrojtësin e të akuzuarit Z.K., pra avokatin Vasiq.

    Trupi gjykues mori aktvendim me të cilin, aprovoi propozimin e prokurorisë që të lexohen deklaratat e dëshmitarëve Halim Krasniqi dhe Ivica Stanojkoviq.

    “Për shkak se deklaratat e tyre të dhëna në procedurat e mëparshme sipas trupit gjykues dhe dëshmia e mundshme e marrur në shqyrtim gjyqësor nuk do të ndikonte shumë në zbardhjen apo ndryshimin e rrethanave dhe provave të tjera të cilat janë administruar. Ndërkaq në anën tjetër sigurimi i këtyre dëshmitarëve, posaçërisht Ivica Stanojkoviq është i vështirë dhe do të mund të prolongonte çështjen” tha kryetari i trupit gjykues, Musa Konxheli.

    Ndryshe, gjatë kësaj seance u bë administrimi i provave materiale, nga prokurori Gashi i cili në pika të shkurta provat materiale, secilën veç e veç me të cilat sipas tij materializohet figura e veprës penale për të cilën akuzohen të akuzuarit.

    Lidhur me provat materiale të propozuara në aktin akuzues e të cilat u elaboruan detaisht palët nuk patën vërejtje.

    Gjatë kësaj seance, mbrojtësi i të akuzuarit D.Sh. avokati Mentor Neziri deklaroi se i mbrojturi i tij në atë kohë kishte paraqitur një kallëzim penal ndaj N.N personave për dyshimin se kanë kryer vepër penale vrasje të rëndë.

    “Kjo dëshmon se D.Sh. në atë kohë për çdo informacion që ka pasur në atë kohë për krimit i ka lajmëruar dhe nuk ka pasur asnjë tendencë për të krye çfarëdo vepër penale. Kjo tregon më shumë një veprim humanist të tij” tha avokati Neziri.

    Ai i propozoi gjykatës që të administroj si prova dëshmitë për kallëzimin penal të ushtruar nga D.Sh në atë kohë.

    Ky propozim u kundërshtua nga prokurori, me arsyetimin se nuk figuron se një kallëzim i tillë penal është paraqitur ashtu siç pretendohet.

    “Len për të dëshiruar se një kallëzim i tillë penal është paraqitur dhe nuk e di sa është relevant një kallëzim i paraqitur ndaj N.N. personave” shtoi ai.

    Kundërshtimit për këtë propozim iu bashkëngjit edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Gani Rexha.

    Propozimi për t’u administruar si provë kërkesat për sigurimin e kallëzimit penal, u refuzua nga trupi gjykues, pasi që një kallëzim i tillë penal nuk është gjetur.

    Trupi gjykues konstatoi se edhe po të sigurohet prova në fjalë nuk është shumë relevante lidhur me veprën penale me të cilën akuzohet.

    Ndryshe, pas konfirmimit të aktakuzës gjykata kishte nisur shqyrtimin gjyqësor në korrik të vitit 2020, ndërkaq seanca fillestare ishte mbajtur në janar të vitit 2020 ku dy të pandehurit kishin mohuar fajësinë.

    Sipas aktakuzës së përpiluar më 30 dhjetor 2019, i akuzuari Z. K., më 26 mars 1999, rreth orës 22:00, në fshatin Nerodime e Epërme, Komuna Ferizaj, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë, ushtrisë dhe paramilitarë serb, i veshur me uniformë të policisë dhe i armatosur, me vetëdije e qëllim, duke vepruar sipas planit dhe urdhrave të eprorëve të tij, ka marrë pjesë direktë në sulmin e popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar, konkretisht familjes N. që nuk kanë marrë pjesë aktive në konflikt të armatosur.

    Gjithnjë sipas aktit akuzues, i njëjti gjatë këtij aksioni në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të forcave policore, ushtarake dhe paramilitare, fillimisht me mjete motorike ushtarake dhe policore, ka hyrë në oborrin e shtëpisë së O. N, e pastaj nën krisma të armëve dhe britmave në gjuhën serbe, rrëmbyeshëm dhe me formë kanë hyrë brenda në shtëpi, ku ishin të strehuar 19 anëtarët e kësaj familje, në mesin e tyre fëmijë, gra e burra.

    Pastaj, thuhet se i pandehuri në bashkëveprim me kryerës të tjerë të cilët u përkisnin forcave policore, ushtarake dhe paramilitare, ka marrë pjesë në cenimin e rëndë të personalitetit dhe dinjitetit të pjesëtarëve të kësaj familje, ngase me forcë nën kërcënimin e armëve, duke ndjellë frikë për jetën e tyre, i kanë nxjerrë dhunshëm nga shtëpia dhe duke i trajtuar në mënyrë jo humane i kanë rreshtuar në oborr para shtëpisë duke i mbajtur nën frikë dhe presion për një kohë të gjatë.

    Tutje, thuhet se në vazhdim derisa personat civil të familjes N., ishin të rreshtuar në oborr, në prezencën e tyre, i pandehuri në bashkëveprim me kryerës të tjerë, ka marrë pjesë në shkatërrimin e paligjshëm dhe qëllimshëm të pasurisë së kësaj familje, djegien e shtëpive, kafshëve, ushqimin e kafshëve dhe gjithë pasurinë që gjendej në oborr, pasuri kjo që nuk justifikohej me nevoja ushtarake.

    Pastaj, sipas akuzës, i pandehuri në të njëjtën kohë ka marrë pjesë edhe në dëbimin e 15 anëtarëve të kësaj familje, të cilët paraprakisht ishin të rreshtuar në oborr, ku në bashkëveprim edhe me kryerës tjetër, nën kërcënimin e armëve i kanë urdhëruar të shpërngulen nga vendbanimi i tyre duke i dëbuar me forcë në drejtim të panjohur.

    Tutje, thuhet se i pandehuri ka marrë pjesë në marrjen peng të katër personave të kësaj familje, i cili duke vepruar në bashkëveprim me kryerës tjerë, fillimisht i ka ndarë nga pjesëtarë tjerë të familjes, personat O. N, B. N., A. N. dhe B. N., tani të ndjerë. Pas marrjes të tyre, thuhet se thelbësisht ka kontribuar në trajtimin mizor të tyre, duke i maltretuar, torturuar, gjymtuar dhe përfundimisht vrarë me armë zjarri, kufomat e të cilëve me qëllim të fshehjes së krimit i kanë hedhur për skaj rrugës magjistrale Prishtinë – Ferizaj, konkretisht në fshatin Babush.

    Për këtë, akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së, të paraparë edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të Konventae të Gjenevës nga neni 146, paragrafi 1 dhe 2 , nënpargrafi 2.1,2.2 dhe 2.3 të KPRK-së, ndërlidhur me nenin 31 të KPRK-së.

    Kurse, i pandehuri D. Sh., sipas aktakuzës, më 1 prill 1999, në cilësinë e inspektorit policor, i armatosur me armë automatike, me qëllim të përdhosjes, poshtërimit dhe trajtimit nënçmues të trupave të pajetë, viktimave O. N., B. N., A. N. dhe I. R., ka urdhëruar që trupat e tyre të varrosen pa dinjitet dhe në kundërshtim me rregullat e luftës të përcaktuara me të drejtën humanitare ndërkombëtare.

    Sipas akuzës, në një njëjtën ditë, sipas urdhrit të të pandehurit dhe pjesëtarëve tjerë policorë, trupat e pajetë të viktimave të cekura si më larë, përmes personave H. K., I. A. dhe një personi tjetër i quajtur “Rada”, me kamionin e tipit “FAP”, me ngjyrë të verdhë janë tërhequr nga Morgu i Prishtinës, ende pa u bërë autopsia dhe janë dërguar në afërsi të varrezave të qytetit të Ferizajt të quajtura “varrezat myslimane”, ku aty ishte duke i pritur i akuzuari D. Sh., i cili menjëherë posa kanë arritur trupat e pajetë, ka urdhëruar personin e quajtur “Maksut”, që me ekskavator të fillojë hapjen e një grope me qëllim të hedhjes së këtyre.

    Ndërkaq, më pas, akuza thotë se pas hapjes së gropës me përmasa përafërsisht 2 deri në 3 metra e gjerë dhe 70 deri në 80 cm të thellë, i pandehuri D. Sh., ka urdhëruar që trupat e të vrarëve fillimisht t’i zbresin nga kamioni, e pastaj pa u respektuar traditat dhe ritet fetare janë hedhur në mënyrë të parregullt të gjithë në të njëjtën gropë masive.

    Sipas akuzës, në përfundim, i pandehuri në kundërshtim me doket, zakonet dhe rregullat fetare të të vrarëve ka urdhëruar që përmes ekskavatorit trupat e pajetë të hedhur në gropë masive të mbulohen me dhe, duke mos mbajtur asnjë shënim për identitetin e të varrosurve dhe duke mos lënë asnjë shenjë identifikuese se aty ka varrezë.

    Më këtë, akuzohet se ka kryer veprat penale “krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 LP të RSFJ-së, aktualisht e dënueshme edhe Kodin Penal të Republikës së Kosovës nga neni 146, paragrafi 2.2 “ Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të konventave të Gjenevës”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!