×
  • Lajme
  • Lajme / Votimi i 21 prillit

    SHBA-ja e BE-ja shprehin keqardhje për thirrjet për bojkotimin e votimit në veri

    Reporteri
    09 Prill 2024 | 7:48

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë shprehur të zhgënjyer me thirrjet që të bojkotohet procesi i votimit në veri, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Nga Ambasada Amerikanë në Prishtinë kanë komentuar thirrjen që ka bërë Lista Serbe për bojkotimin e votimit për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në katër komunat në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

    Sipas ambasadës, siç kanë thënë vazhdimisht ambasadori Hovenier dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë amerikane, ata besojnë se është e rëndësishme që qytetarët e Kosovës kanë aftësinë për të ushtruar të drejtën e tyre për të tërhequr zyrtarët e zgjedhur në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, nëse ata vendosin ta bëjnë këtë.

    “Ne vlerësojmë përpjekjet e bëra nga zyrtarët zgjedhorë kosovarë për t’i lejuar të gjithë qytetarët e Kosovës të marrin pjesë në këtë proces demokratik. Mundësi pjesëmarrjeje kanë të gjithë qytetarët e regjistruar në veri të Kosovës. Na vjen keq për deklaratën e Listës Serbe se ata do të tërhiqen nga pjesëmarrja në votimin për tërheqjen e kryetarëve”, thotë ambasada.

    Sipas ambasadës, pjesëmarrja demokratike ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullatave të cilave u shërbejnë dhe se votimi është një liri kritike e shoqëritë demokratike.

    “Presim që Qeveria e Kosovës të jetë e ndjeshme ndaj shqetësimeve të qytetarëve të saj në veri të Kosovës gjatë gjithë këtij procesi. Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë do të vazhdojnë ta ndjekin këtë proces nga afër”, thuhet në përgjigjen e ambasadës së SHBA-së.

    SHBA-ja shpreh keqardhje për deklaratën e LS-së për bojkot të votimeve në veri

    Zhgënjim ka shprehur edhe BE-ja.  Blloku evropian ka shprehur keqardhje edhe për thirrjen që serbët të bojkotojnë procesin e regjistrimit të popullsisë në Kosovë.

    “Ne marrim në dijeni shqetësimet e shprehura nga serbët e Kosovës lidhur me procesin për zgjedhjet e reja. Përkundër kësaj, ne i bëjmë thirrje Listës Serbe të rishqyrtojë vendimin për të mos marrë pjesë, pasi demokracia nënkupton pjesëmarrje dhe realizimin e të drejtës për serbët e Kosovës që të shprehin qëndrimet e tyre në kutitë e votimeve”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

    Blloku evropian tha se është kyçe që të zhvillohen zgjedhjet lokale në katër komunat në veri të Kosovës, “me pjesëmarrjen e serbëve pa parakushte”.

    “Zhvillimi i zgjedhjeve të reja për kryetarë komunash duhet të sigurojë qeverisje të plotë përfaqësuese në veri dhe të ndihmojë edhe në uljen e tensioneve. Votimi për shkarkim është hap në këtë drejtim”, tha BE-ja.

    BE-ja tha po ashtu se që kur serbët në veri u larguan nga institucionet e Kosovës nëntorin e vitit 2022, blloku evropian me partnerët e tij është angazhuar që serbët e Kosovës të kthehen në institucione.

    “Është imperative që të kthehemi në situatën ku serbët e Kosovës marrin pjesë aktive në qeverisjen lokale, polici dhe gjyqësorë në veri të Kosovës”, u tha në reagim.

    BE-ja shpreh keqardhje për thirrjet për bojkotimin e votimit dhe regjistrimit në veri

    Anëtarët e komisioneve komunale zgjedhore (KKZ) në veri nga Lista Serbe kanë dhënë dorëheqje të hënën, ka konfirmuar Komizioni Qendror i Zgjedhjeve.“Mund t’ua konfirmoj se kemi pranuar dorëheqjet nga katër anëtarët e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve për komunat Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut, të cilët janë emëruar më parë nga KQZ si përfaqësues të subjektit politik Lista Serbe”, tha për gazetën online Reporteri.net zëdhënësi për media në KQZ, Valmir Elezi.

    Ai shtoi se në mbledhjet e kaluara, KQZ ka funksionalizuar Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në këto katër komuna, duke caktuar 4 Zyrtarët Ekzekutiv, të cilët njëkohësisht janë kryesues të KKZ-së si dhe ka marrë vendim për emërimin e 27 anëtarëve, të cilët përfaqësojnë subjektet politike parlamentare.

    Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, KKZ-ja administron zgjedhjet brenda komunës përkatëse, nën mbikëqyrjen ekskluzive dhe udhëzimet e KQZ-së.

    Zyrtarët e Listës Serbe ishin emëruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) më 18 mars të këtij viti, e më 21 prill do të votohet për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin-Potok dhe në Zveçan.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!