×
  • Lajme
  • Lajme

    Shefi i BE-së në Beograd: Kosova dhe Serbia të përqendrohen urgjentisht në negociata për marrëveshje finale

    Reporteri
    26 Nëntor 2022 | 16:05

    Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Emanuele Giaufret tha që Kosova dhe Serbia duhet të përqendrohen urgjentisht në negociata për të arritur një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve.

    Giaufret tha se kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, së shpejti do t’i ftojë të dyja palët për negociata të mëtutjeshme

    “Është e nevojshme që palët të investojnë energji maksimale për të arritur një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve. BE është e vendosur të punojë me Prishtinën dhe Beogradin për të arritur një marrëveshje,” tha Giaufret.

    Ai tha se marrëveshja për targat e automjeteve, të cilën Prishtina dhe Beogradi e arritën të mërkurën në mbrëmje, “parandaloi tensionet e mëtejshme”, por tha se të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel duhet të zbatohen.

    Zëdhënësi i BE-së Peter Stano gjatë ditës së djeshme ka konfirmuar se drejtuesi i lartë i BE-së i ka ftuar në Bruksel për ndërmjetësimin e negociatave kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    “Por përfaqësuesi i lartë i BE-së ka ftuar kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiç në ditët që vijnë. Shpresoj, që ata do të mund të vijnë, kështu që të mund të vazhdojmë në frymën pozitive që u arrit këtë javë dhe të shfrytëzojnë këtë momentum për të ecur përpara. Kjo nuk bëhet për Bashkimin Europian, por për interesat e qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë, për fillimin e ndalimit të përshkallëzimit të situatës dhe përfitimin nga perspektiva evropiane”, ka deklaruar Stano. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!