×
  • Lajme
  • Lajme

    Shefi i Telekomit përsërit: Kontrata me Z-Mobile nuk vazhdohet me këto kushte

    Reporteri
    27 Qershor 2019 | 10:47

    Kryeshefi Ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, ka folur sërish lidhur me kontratën e Z-Mobile me Telekomin, duke thënë se strukturat menaxhuese e kanë obligim të veprojnë në përputhje me mbrojtjen e interesit të kompanisë.


    Në këtë kuptim, ai ka thënë se kontrata me Z-Mobile nuk mund të vazhdohet në kushtet aktuale, shkruan Reporteri.net.

    “Për hir të informimit të drejtë dhe transparencës maksimale dhe për të shmangur çdo keqkuptim të mundshëm, më duhet të theksoj se kontrata me Z Mobile nuk do të vazhdohet tutje sipas kushteve të cilat kanë ekzistuar deri më tani, kjo bazuar në konstatimet financiare të ekipeve ndërkombëtare të ekspertëve financiarë dhe të ekipit të ekspertëve ligjor. Ky njoftim i mosvazhdimit të kësaj kontrate, i është adresuar edhe vetë partnerit të Telekomit (Z Mobile), ashtu siç e parasheh edhe kjo marrëveshje”, ka thënë Istrefi.

    Ndërkaq, ai ka shtuar se Menaxhmenti duhet të marrë në konsideratë çdo marrëveshje dhe të shikojë nëse janë në interes të kompanisë.

    “Të hënën gjatë protestës së Sindikatës së Punëtorëve kam informuar punëtorët se unë si Kryeshef Ekzekutiv do të jem në mbështjetje të plotë të veprimeve dhe vendimeve me të cilat mbrohen interesat e kompanisë sonë. Siç dihet çdo partneritet bëhet për përfitime dypalëshe dhe të tilla do të duhej të ishin të gjitha kontratat që kemi me operatorë të ndryshëm. Në frymën e saj, është edhe qëndrimi unanim i Bordit, Menaxhmentit Ekzekutiv dhe i vetë Sindikatës se të gjitha raportet kontraktore me partnerë, pa paragjykuar asnjë prej tyre, do të bëhen dhe vlerësohen sipas parimit të përfitimit të dyanshëm”, ka shtuar ai.

    Ndërkohë, lidhur me marrëveshjen e Z-Mobile me Telekomin e Kosovës është diskutuar edhe në Kuvendin e Kosovës, ku ka pasur përplasje nëse kjo marrëveshje është e dëmshme për kompaninë publike./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!