×
  • Lajme
  • Lajme

    Shefi i Zyrës së BE-së: Konfiskimi i pasurive është thelbësor për luftimin e krimit ekonomik

    Reporteri
    22 Janar 2021 | 12:12

    Shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, në Konferencën Vjetore të Prokurorëve ka thënë se Prokuroria është një nga shtyllat kryesore të sundimit të ligjit dhe që krijimi dhe ruajtja e një prokurorie efikase, të pavarur dhe llogaridhënëse është proces i vështirë, kompleks dhe i vazhdueshëm.


    Ai ka thënë se prokurorët në Kosovë përballen me sfida të panumërta, por përkundër tyre duhet të vazhdohet drejt arritjes së rezultateve më të mira, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

    Në këtë drejtim, lëndët do të duhej të trajtoheshin në mënyrë më efikase dhe profesionale. Pritjet tona janë të mëdha kur flitet për specializimin në kuadër të Prokurorisë së Shtetit, veçanërisht kur flitet për PSRK-në (Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës)”.

    “Është gjithashtu e rëndësishme të nënvizohet se puna e prokurorit fillon me udhëheqjen e hetimit por nuk përfundon me ngritjen e aktakuzës. Fitorja në luftën kundër krimit vjen vetëm kur jepen dënime të formës së prerë në gjykatë”.

    Szunyog ka thënë se konfiskimi i pasurive është thelbësor për luftimin e krimit ekonomik.

    “Është i lartë numri i konfiskimeve paraprake të pasurive të kryera gjatë procedurave penale. Por ende mbetet i ulët numri i konfiskimeve përfundimtare”.

    “Në mënyrë që të lehtësohet më tej rikuperimi i të ardhurave të krimit dhe që pasuritë të konfiskohen në mënyrë efektive, BE-ja dhe të gjithë partnerët ndërkombëtarë e inkurajojnë Kosovën që ta themelojë sa më shpejt fondin për këtë qëllim specifik. Do të duhej të kishte përparim në zbatimin e legjislacionit në lidhje me konfiskimin, veçanërisht të Ligjit për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskim”.

    “Ne shpresojmë edhe që gjatë vitit 2021 më në fund të miratohet dhe të hyjë në fuqi drafti i Kodit të ri të Procedurës Penale. Legjislacioni i ri sjell disa ndryshime në procedurat penale, të cilat nëse zbatohen siç duhet shpresohet të kenë ndikim pozitiv në efektivitetin e ndjekjes penale të lëndëve”.

    “Për forcimin e mëtejshëm të sundimit të ligjit dhe rritjen e llogaridhënies, efikasitetit dhe integritetit të institucioneve, ne i mirëpresim përpjekjet për përgatitjen e Strategjisë për Sundim të Ligjit, të bazuar në Rishikimin Funksional. Kjo është një përpjekje e përbashkët e ministrive, gjyqësorit dhe prokurorisë dhe institucioneve të tjera shtetërore, si dhe partnerëve ndërkombëtarë dhe shoqërisë civile”.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!