×
  • Lajme
  • Lajme

    Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë: Pozitive që Kurti tash e radhit dialogun si prioritet të katërt

    Reporteri
    28 Shkurt 2021 | 9:41

    Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, e sheh si lëvizje pozitive deklarimet e kandidatit për kryeministër Albin Kurtit se dialogu me Serbinë do të jetë në katër prioritet e para të Qeverisë së tij.


    Szunyog tha se dialogu nuk është i rëndësishëm vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin.

    “Unë e kuptoj që ka një zhvillim pozitiv në ato deklarata nga të mos qenit aspak prioritet, në të qenurit prioritet numër gjashtë, tani është prioritet i katërt. Kështu që unë mendoj se po shohim shenja të mira, pasi dialogu është i rëndësishëm jo vetëm për Kosovën por edhe për të gjithë rajonin”, tha Szunyog për Ekonomia Online.

    Kosova vazhdon të jetë ende i vetmi vend në rajon, i cili nuk ka arritur të sigurojë asnjë lloj të vaksinës kundër sëmundjes Covid-19, që shkakton ky virus. Por sipas Szunyog, kontingjenti i parë i dërgesave të vaksinave kundër Coronavirusit pritet të arrijnë në muajin mars.

    “Ne jemi duke pritur shpërndarjen e parë të vaksinave, shpresoj në javët ose ditët e ardhshme. E përsëris, është shpresa ime por po në mars”, tha shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë.

    Bashkimi Evropian është duke punuar që të krijohet një stabilitet institucional në Kosovë. Szunyog thotë se është duke zhvilluar takime me liderët e partive në mënyrë që të arrijnë një marrëveshje në zgjedhjen e presidentit, pasi siç thotë ai BE-ja është e interesuar të punojë me një qeveri stabile dhe afatgjate.

    Ndërsa sa i përket liberalizimit të vizave, Szunyog thotë se Bashkimi Evropian si institucion i ka kryer obligimet ndaj Kosovës, ndërsa tani është detyrë e institucioneve vendore të zhvillojnë takime me shtetet të cilat janë kundër këtij procesit, në mënyrë që t’i bind këto vende për liberalizimin e vizave për kosovarët.

    Tutje, ai tha se hapja e ambasadës në Jerusalem nuk është në linjë me politikën e BE-së, duke shtuar se Kosova duhet të ndjekë prioritetet e politikave të jashtme të Bashkimit Evropian nëse aspiron të bashkohet në këtë institucion.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!