×
  • Lajme
  • Lajme

    Shkaku i migrimit, 29 mijë nxënës më pak në 5 vitet e fundit

    Reporteri
    27 Shkurt 2020 | 20:23

    Nëse vazhdon trendi i tkurrjes së popullsisë, Kosova në dekadat e ardhshme do të mbesë me numër të vogël të nxënësve dhe mund të shtohet numri i shkollave të mbyllura.


    Vetëm këtë vit shkollor janë afro 11 mijë nxënës më pak sesa vitin e kaluar. Arsye sipas ekspertëve të demografisë e njohësve të çështjeve të arsimit janë rënia e natalitetit dhe ikja e të rinjve jashtë vendit, raporton KTV.

    Demografi, Rifat Blaku, këtë situatë e konsideron alarmante për shtetin. Largimin e të rinjve jashtë vendit dhe numrin e vogël të lindjeve në Kosovë ai e lidh me gjendjen e rëndë ekonomike.

    Sipas tij, duhet një analizë profesionale e shkencore për të menaxhuar migrimin, në të kundërtën, thotë se Kosovën e pret një situatë e pakëndshme rreth numrit të popullsisë.

    Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Arsimit, këtë vit shkollor Kosova ka afro 29 mijë nxënës më pak sesa para 5 vjetëve. Këto statistika i konsideron shqetësuese edhe njohësi i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, mirëpo sipas tij, situatë e njëjtë është në gjithë Evropën Juglindore.

    Për këtë arsye vlerëson se duhet të bëhet një riorganizim i rrjetit të shkollave në përputhje me situatën e re.

    Ndërkaq në zonat ku transporti është i pamundshëm Pupovci vlerëson se qoftë edhe për një nxënës të vetëm, shkollat duhet të mbesin të hapura.

    Shqetësim për uljen e numrit të nxënësve në Kosovë ka shprehur ditë më parë edhe ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami.

    Bajrami ka paralajmëruar se shumë shpejt do të kenë shifrat e sakta dhe më pas do të nisin me reforma për riorganizimin e rrjetit të shkollave në tërë territorin e Kosovës

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!