×
  • Lajme
  • Lajme

    Shkolla në Pejë nuk bëhet gati as pas tri vitesh që nisi të ndërtohej

    Reporteri
    26 Shtator 2020 | 20:07

    Para tre vjetëve ishte vënë guri themeltar i objektit të ri të shkollës fillore “Vaso Pashë Shkodrani” në Pejë dhe nxënësit e stafi i shkollës kanë pritur që sivjet në shtator të ndërrojnë paralelet e vjetra me ato të rejat në shkollën e re që po ndërtohet në oborrin prapa shkollës së vjetër.


    Ashtu u është thënë kur ka nisur realizimi i punimeve, që është financuar nga Ministria e Administratës Publike, me vlerë prej 2 milion eurove.

    Por nxënësit dhe stafi i shkollës vazhdojnë ta shohin vetëm nga rruga objektin, në të cilin akoma janë duke u kryer punimet e vrazhda, raporton KTV.

    Drejtoresha e kësaj shkolle, Syndyze Loxha shpreson që objekti i ri të jetë i gatshëm së paku për vitin e ardhshëm.

    Porse a do të kryhet edhe një vit shkolla apo edhe sa do të zgjasë ndërtimi i saj nuk e di as drejtori i Arsimit në këtë komunë, Besim Avdimetaj.

    Për zvarritjen e ndërtimit të shkollës, televizioni ka kontaktuar pronarin e kompanisë së kontraktuar nga Ministria, Visar Kelmendi, i cili ka pohuar se kompania e tij ka punuar aq sa i kanë dhënë Ministria mjete për këtë projekt.

    Sipas tij, po t’i kishte dhënë Ministria të gjitha mjetet me kohë, shkolla tashmë do të ishte kryer.

    Financimin e këtij projekti e ka trashëguar Ministria e Punëve të Brendshme, në të cilën është shkrirë ish-Ministria e Administratës Publike.

    Mirëpo në përgjigjën e Ministrisë për zvarritjen e këtij projekti nuk figuron asgjë për financim jo të rregullt të projektit.

    Kjo ministri arsyetohet se edhe pandemia ka ndikuar në zvarritjen e punimeve.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!