×
  • Lajme
  • Lajme

    Shpallet konkurs për drejtorin e Doganës, Ministri Bislimi inkurajon edhe drejtorin aktual të aplikojë

    Reporteri
    12 Shkurt 2020 | 13:04

    Vendimi i fundit i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj ishte zgjatja e mandatit të drejtorit të Doganës, Bahri Berishës, edhe për tri vjet.


    Një javë më vonë u formua Qeveria e re në krye me Albin Kurtin, e ministria e Financave që udhëhiqet nga numri dy i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi, menjëherë reagoi ndaj atij vendimi.

    Në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave dhe Transferëve është shpallur konkurs për drejtor të Doganës.

    Edhe vet Ministri Bislimi ka njoftuar se ka autorizuar hapjen e konkursit për pozitën e drejtorit të Doganës.

    “Në përputhje me autorizimet e mia si Ministiër në Ministrinë e Financave dhe Transfereve, kam udhëzuar administratën e ministrisë që të shpallë konkursin për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Doganës së Kosovës. Këtij vendimi i ka paraprirë një vendim tjetër i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, i datës 7 shkurt, me të cilin është anuluar vendimi i ish kryeministrit në detyrë, i datës 24 janar, përmes të cilit i ishte vazhduar kontrata drejtorit ekzistues”, ka shkruar Bislimi.

    Ndryshe, ish-kryeministri Haradinaj e zgjati mandatin e Berishës, ndonëse sipas Kodit Doganor të Kosovës, për pozitën e drejtorit të doganës duhet të shpallet konkursi nga Ministria e Financave.

    Haradinaj, pas vendimit për zgjatje të mandatit, shkroi se këtë po e bënte duke u thirrur në kuadër të kompetencave të tij kushtetuese e ligjore.

    “Në kuadër të kompetencave të mia kushtetuese e ligjore, sot, drejtorit të Përgjithshëm të Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, ia kam vazhduar mandatin edhe për tre vjet të tjera. Z. Berisha, përgjatë shërbimit të tij në këtë pozitë ka dëshmuar profesionalizëm e korrektësi dhe me seriozitet ka kryer punët dhe përgjegjësitë e tij në këtë institucion shumë të rëndësishëm të vendit. Z. Berisha i uroj punë të mbarë edhe për vitet e tjera”, kishte shkruar Haradinaj.

    Berisha u zgjodh në krye të doganës në shkurt të vitit 2017.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!