×
  • Lajme
  • Lajme

    Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme: Sa vota të deputetëve i duhen Presidentit në Kuvend

    Reporteri
    18 Mars 2020 | 11:27

    Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi i ka propozuar Kuvendit që ta shpallë gjendjen e jashtëzakonshme pas situatës me coronavirus. Por, këtë po e kundërshton kryeministri Albin Kurti bashkë me deputetët e tij në Kuvendin e Kosovës. Në anën tjetër, LDK e ka përkrahur propozimin për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme, ku kompetencat kryesore për menaxhim të situatës do t’i kalonin Presidentit.


    Presidenti tashmë veç e ka nisur këtë duke bërë të ditur që ka nënshkruar dekretin për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme, por për të hyrë në fuqi ky dekret i duhet edhe votimi në Kuvend.

    “Bazuar në detyrat e mia kushtetuese si President, pas takimit të sontëm me Këshillin e Sigurimit të Kosovës, kam nënshkruar një dekret për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në mes të situatës së krijuar nga shpërthimi i COVID19”, ka shkruar Thaçi në Twitter.

    Sa i përket votave në Kuvend, deri tani janë dy subjekte politike që janë shprehur kundër këtij vendimi të Presidentit, dhe ato nuk pritet t’i japin votë pro. Bëhet fjalë për Lëvizjen Vetëvendosje dhe Listën Serbe, të cilat për arsye të ndryshme kanë kundërshtuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme nga ana e Presidentit.

    Vetëvendosje po e kundërshton këtë duke thënë se gjendja nuk ka eskaluar deri në atë masë sa të shpallet gjendje e jashtëzakonshme, edhe pse mbrapa kësaj qëndron një arsye tjetër, ajo e marrjes së kompetencave kryesore nga ana e Presidentit për menaxhim të situatës me krizën. Ndërsa, Lista Serbe po e kundërshton sepse nëse do të shpallej gjendje e jashtëzakonshme, atëherë Ushtria e Kosovës do të kishte drejtë të kontrollonte situatën edhe në të gjithë territorin e vendit, duke përfshirë edhe pjesën veriore të banuar me shumicë serbe, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Por a do të mundet Presidenti t’i bëjë votat e mjatueshme në Kuvend, që të hyjë në fuqi gjendja e jashtëzakonshme.

    Sipas Kushtetutës së Kosovës, janë disa raste kur shpallet gjendja e jashtëzakonshme. Për rastin konkret kur kemi të bëjmë me një rrezik që vjen natyra, siç është rasti i coronavirusit, nuk kërkohen 2/3 e votave të deputetëve, por shumica e votave të deputetëve të pranishëm në seancë.

    “Nëse ka rrezik ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë publike në Republikën e Kosovës, ose ekziston një fatkeqësi natyrore në tërë territorin e Republikës së Kosovës ose një pjesë të tij presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me Kryeministrin, mund të shpallë Gjendjen e Jashtëzakonshme. Me shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme, Presidenti i Republikës së Kosovës shpallë menjëherë një dekret, i cili përcakton natyrën e gjendjes së emergjencës dhe çfarëdo kufizimi mbi të drejtat dhe liritë. Brenda dyzet e tetë (48) orësh, Kuvendi mund të japë pëlqimin e tij me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të pranishëm dhe që votojnë. Nëse nuk jepet pëlqimi, dekreti i Presidentit nuk ka forcë as efekt”, thotë neni 131, pika 4 e Kuhtetutës së Republikës së Kosovës, në pjesën ku flet për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në vend.

    Në këtë rast, pavarësisht mospajtimit të Vetëvendosjes dhe Listës Serbe, nëse presidenti arrinë t’i marrë votat e deputetëve tjerë, atëherë gjendja e jashtëzakonshme do të hyjë në fuqi në Kosovë.

    Për këtë ai i ka gjasat, pasi LDK edhe pse në koalicion qeverisës me VV’në, në disa deklarata të zyrtarëve të lartë të saj, ka thënë se duhet shpallur gjendje e jashtëzakonshme.

    Nëse dekreti i Presidentit do të merrte mbështetjen e deputetëve të LDK’së, e edhe të partive opozitare, atëherë t’i kishte votat e mjaftueshme që të hynte në fuqi gjendja e jashtëzakonshme, ku fuqia ekzekutive për menaxhim të situatës me coronavirus do t’i delegohej Këshillit të Sigurisë në përbërje të të cilit do të ishte edhe Qeveria, por që do të udhëhiqej nga Presidenti. Sa i përket kontrollit të sigurisë në vend, me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, përgjegjësia do t’i kalonte Ushtrisë, në këtë rast FSK’së, dhe më nuk do të ishte në kompetencë të policisë, siç është ende. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!