×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Ambasadorja Yuri Kim tregon se kush i mblodhi provat për ta shpallur Sali Berishën ”non grata”

    Reporteri
    19 Janar 2022 | 21:37

    Yuri Kim deklaroi se shpallja non grata e Sali Berishës erdhi pasi u mblodhën prova nga shumë institucione.

    “Nuk është vetëm DASH. Përfshihen agjenci si Departamenti i Thesarit, FBI, CIA. Përfshihen një gamë ekspertësh për të parë faktet. Së pari, për të mbledhur faktet dhe pastaj për të shqyrtuar faktet, dhe pastaj ndërtimi i një dosjeje që Sekretari i Shtetit të ketë besim ta nënshkruajë,” – u shpreh ambasadorja.

    Kim sqaroi se procesi për shpalljen non grata të dikujt merr vite dhe nuk bëhet brenda ditës e as nga një individ i vetëm.

    “Më shumë se 200 persona janë dizenjuar nga Departamenti i Shtetit për përfshirje në korrupsion domethënës. Të gjitha ato raste kalojnë një proces shumë rigoroz shqyrtimi nga një numër agjencish,” – deklaroi ambasadorja.

    Sipas saj nuk ka asnjë provë që mund të bëhet publike në asnjë proces gjyqësor.

    “Në asnjë rast nuk paraqesim një dosje provash. Nuk është ky procesi,” – tha Kim e cila insistoi disa herë se pavarësisht se Berisha ka hapur një proces gjyqësor në Paris për këtë çështje, atje nuk do të ketë asnjë deklarim nga SHBA.

    Ambasadorja theksoi se shpallja non grata e ish-kreut të PD-së u bë bazuar në fakte dhe përfshiu shumë agjenci të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Në maj të vitit të kaluar sekretari i DASH, Antony Blinken, bëri me dije se Berishës dhe familjarëve të tij nuk do t’u lejohet pajisja me vizë për në Shtetet e Bashkuara. Ky vendim sipas Blinken u mor nga Uashingtoni zyrtar “për akte korruptive që cenojnë demokracinë në Shqipëri”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!