×
  • Lajme
  • Shqipëria / Protesta

    Berisha sulmon ndërkombëtarët nga protesta ku u përdorën molotovë para Kryeministrisë

    Reporteri
    20 Shkurt 2024 | 20:10

    Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha i është bashkuar online protestës së thirrur nga vetë ai. Në nisje të fjalimit të tij, Berisha tha se 20 shkurti sot është më i rëndësishëm sesa i 33 viteve më parë ku u rrëzua statuja e diktatorit Enver Hoxha.

    Në Shqipëri protesta e thirrur nga opozita për të martën ka eskaluar. Menjëherë pas përmbylljes së fjalës prej 30 minutash të kreut të Rithemelimit, Sali Berisha, protestuesit kanë hedhur koktej molotovi në drejtim të objektit.

    “20 shkurti është një ditë në të cilën shqiptarët kremtojnë ngadhënjimin e tyre. Çdo vit më 20 shkurt kemi nderuar një ditë, e cila ndau historinë tonë. Ndau epokën e barbarisë së luftës së klasës, tiranisë së mjerimit dhe izolimit ekstrem nga epoka e triumfit të njerëzve më të shtypur të Europës dhe ndëshkimit mbarëpopullor pas vdekjes së Enver Hoxhës, Hitlerit shqiptar të pas Luftës së Dytë Botërore. Duke përmbysur në Tiranë shtatoren e tij, zvarritur e copëtuar në rrugët e kryeqytetit, nderim përjetë guximtarëve, trimave, heronjve të 20 shkurtit për veprën e tyre të pavdekshme. Por sot, për herë të parënë 32 vite, ky 20 shkurt eklipson për nga rëndësia atë të vitit 1991 sepse sot nuk kemi përpara simbolet e një diktature të bazuar në doktrinën marksiste-leniniste, por përballemi me një lloj të re diktature, e cila bazohet në aleancën e pushtetit me krimin, në shndërrimin e votës në krim dhe krimit në votë, vjedhjen e lemerishme të qytetarëve nga pushtetarët dhe trafikun e qindra tonelatave drogë dhe narkoeuro”, tha Berisha mes tjerash.

    Ai tha se “Na grabitën vulën e partisë, ndonëse dy palë zgjedhje, tre votëbesime ju kishit shprehur vullnetin tuaj. E ndaluan emrin e Sali Berishës në fletën e votimit”.

    Ka vazhduar kritikat e tij edhe për ndërkombëtarët.

    “Na mohuan financat, na mohuan komisionerët në qendrat e votimit. Qeveria, mediat më të fuqishme, diplomatë dhe ambasadorë të korruptuar nga narkoqeveria u frynë qëllimisht zjarrit të përçarjes dhe konfliktit midis nesh. Dhe së fundmi, njësoj si në Rusinë e Putinit, lideri i opozitës u arrestua si person nën hetim dhe u tentua t’i ndalohej fjala e lirë. Të gjitha këto vetëm e vetëm se ai, në mbrojtje të interesit publik dhe kombëtar, denoncoi fuqishëm korrupsionin qeveritar dhe atë ndërkombëtar. Denoncoi korrupsionin e Edi Ramës dhe qeverisë së tij si armikun më të egër të qenies së qytetarëve shqiptarë. Të gjitha këto vetëm e vetëm pse ai mbrojti i palëkundur interesin e kombit shqiptar, denoncoi projektet antishqiptare, por edhe antieuropiane, serbo-ruse, të Aleksandër Vuçiçit, argatit të tij Edi Rama, të mbështetura fuqimisht nga Sergej Lavrov, por jo më pak edhe nga Aleksandër Soros. Dhe në fakt, për të gjitha këto sot, ne nuk duhej të ekzistonim politikisht”, tha tutje ai.

    Kryeministria u rrethua nga 1200 forca policie, ku në gatishmëri ishin Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, Forcat e Sigurisë Kombëtar, Garda, Forcat Shqiponja, forca zjarrfikëse dhe ambulanca. Protestuesit përdorën molotov, shashka dhe kapsolle në drejtim të godinës së Kryeministrisë, ndërsa rrëzuan edhe gardhin që i ndante me kordonin e policisë.

    Rreth 10 deputetë demokratë mbajtën fjalime para protestuesve, mes tyre edhe Sali Berisha përmes një vdeo-lidhjeje. Të pranishëm ishin edhe deputetë të tjerë si Jorida Tabaku dhe Alfred Rushaj. Protesta nisi me fjalën e deputetit Luçiano Boçi, vazhdoi me aktorin Mehdi Malkja, dhe me deputetin demokrat Flamur Noka./tch

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!