Gripi i shpendëve apo virusi H5N1 i cili u konstatua në disa pula oborri në Mezes të Tiranës, tanimë është izoluar dhe fatmirësisht asnjë banor nuk rezultoi i infektuar me këtë virus.
Por a përhapet ky virus nga shpendët tek njeriu?
“Personat të cilët kujdesen për shpendët janë të rrezikuar. Kapërcimi i sëmundjes nga shpendët te njerëzit janë të ulëta. Ne jemi të matur që rastet të gjenden sa më shpejtë”, u shpreh dr. Silva Bino.
A rrezikon konsumatori nga mishi dhe vezët e pulave të infektuara me H5N1?
“Sa i përket produkteve ushqimore, nuk ka asnjë rrezik për vezët, asnjë rrezik për pulat kur ato konsumohen të përpunuara”, shtoi ajo.
Gripi i shpendëve transmetohet nga njeri vend në tjetrin, nëpërmjet zogjve shtegtarë. Por njerëzit si mund të infektohen prej tij?
“Mund të infektohemi kur kujdesemi për shpendët, kur luajmë me shpendët, sepse ka fëmijë që luajnë me shpendët”, u shpreh Bino.
Para dy vitesh virusi H5N1 shkaktoi dëme të konsiderueshme në vend./Top Channel/