×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Ndërtimtaria nuk po gjen dot punëtorë, vendet bosh synohet të plotësohen me punëtorë të huaj

    Reporteri
    14 Janar 2022 | 10:22

    Tregu i punës në Shqipëri është në vështirësi të madhe. Bizneset nuk kanë punëtorë dhe situata ka arritur në pikën kritike ku në disa raste as nuk po operojnë dot më.

    Një nga sektorët që po e vuan më shumë është ai i ndërtimit, që po njeh dhe rritje të shpejtë vitet e fundit:

    “Ndihet shumë në kompanitë që kanë uri për të ndërtuar, po nuk kanë fuqi punëtore. 10 vitet e fundit është ndjerë kriza e largimit të punonjësve të kualifikuar, nuk është vlerësuar dhe sot gjendemi përpara faktit të kryer. Kompanitë e ndërtimit mendoj se duhet të fillojnë të ristrukturojnë mënyrën si e thithin tregun e punës duke parë se fqinjët po marrin shumë fuqi punëtore, pasi edhe ne si individë e kemi të pamundur të gjejmë një punëtor të kualifikuar për të kryer punime në ndërtesën tonë, jo më kompanitë e ndërtimit. Duhet të fillojnë të ndryshojnë sjellje, në mënyrë që ta mbajnë fuqinë punëtore të kualifikuar”, thotë Ilir Hebovija, drejtor i Shoqatës së Ndërtuesve.

    Ndërkohë biznesi po gjen alternativa tek punëtorët e huaj:

    “Profilet e punës për të cilët ne sjellim punëtorë të huaj nuk preferohen nga shqiptarët. Boomi më i madh ka filluar dy vitet e fundit, kryesisht nga vende si India apo Bangladeshi”, thotë Klesta Dervishi, Menaxhere Rekrutimi.

    Cilët janë sektorët që vuajnë më së shumit?

    Bizneset që kërkojnë më shumë janë kompanitë e prodhimit dhe shërbimit.

    Cilat janë pagat për punëtorët e huaj në Shqipëri?

    Përveç benefiteve që iu plotësojnë kompanitë, pagesat variojnë nga 300-400 dollarë. Kontratat janë dy vjeçare sepse kaq e lejon ligji. Më pas, ata kthehen sërish dhe mund të vendosin të kthehen prapë.

    Qeveria shqiptare i ka lehtësuar kushtet për punëtorët e huaj që duan të vijnë në Shqipëri, duke miratuar edhe një ligj të veçantë për të shmangur vonesat në procedura burokratike. Me ardhjen e tyre në Shqipëri atyre i ofrohet përveç pagës edhe akomodimi dhe ushqimi, kushte të cilat janë dakordësuar paraprakisht nga agjencitë./tch

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!