×
  • Lajme
  • Shqipëria

    PD kundër propozimit të Edi Ramës që kosovarja Vlora Hyseni të jetë drejtoresha e re e SHISH’it

    Reporteri
    17 Mars 2023 | 16:50

    Menjëherë pasi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i ka propozuar presidentit Bajram Begaj emërimin e Vlora Hysenit si drejtore e re e Shërbimit Informativ Kombëtar në Shqipëri, ka reaguar Partia Demokratike duke e kundërshtuar këtë emërim.

    Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, ka thënë se Hyseni është shkarkuar nga shërbimet e inteligjencës në Republikën e Kosovës, me dyshimet për “zbulim ose mosruajtje të informacioneve të klasifikuara”.

    “Këto raportime janë shqetësuese dhe ngrenë dyshime mbi integritetin e znj. Hyseni”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.

    Më tej Bardhi ka thënë se “Presidenti i Republikës është i detyruar të marrë informacionet e plota pranë institucioneve të Republikës së Kosovës mbi arsyet e largimit të saj nga të gjitha pozicionet në shërbimet e inteligjencës së Republikës së Kosovës. Për këtë Presidenti i Republikës ka detyrimin të bëjë transparencë për opinionin publik dhe të informoj edhe Kuvendin e Shqipërisë mbi çdo informacion që do të sigurojë”.

    “Siguria kombëtare e Shqipërisë është ngushtësisht e lidhur me sigurinë kombëtare të Kosovës. SHIK nuk mund të jetë kurrë institucion nën kontrollin personal të Edi Ramës, me përzgjedhje personale të tij dhe pa asnjë argument që siguron pavarësinë e Shërbimit Informativ Kombëtar dhe ushtrimin prej tij me profesionalizëm e paanësi të misionit të mbrojtjes së sigurisë kombëtare”, ka shkruar ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!