×
  • Lajme
  • Shqipëria

    ​Rama: Maqedonia e Veriut të mos e refuzojë propozimin e fundit francez

    Reporteri
    30 Qershor 2022 | 17:24

    Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka reaguar pasi Emmanuel Macron, president i Francës, deklaroi se kanë gjetur një zgjidhje kompromisi mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

    Macron në fund të Samitit të NATO-s, në Madrid tha se është bërë përparim drejt gjetjes së një zgjidhjeje mes dy vendeve.

    Ndërkohë Rama në një postim në Twitter ka shkruar se propozimi i fundit francez, i cili është edhe përfundimtari, i jep Maqedonisë së Veriut mundësinë e një pranimi pa rezervë dhe hap rrugën e nisjes zyrtare të negociatave për anëtarësimin e të dy vendeve në BE.

    “Vëllezërve maqedonas dhe shqiptarë në Maqedoninë e Veriut u them: Pranojeni!”, ka shkruar ai.

    Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk ka dhënë detaje se çfarë saktësisht përmban ky propozim francez, dhe nëse teksti ka pësuar disa ndryshime për të cilat këmbënguli Shkupi.

    Bëhet fjalë për formulim të qartë të gjuhës maqedonase në kornizën negociatore dhe mbrojtje e qartë e identitetit maqedonas, përjashtimi i çështjeve historike nga korniza negociuese, dhe fillimi i negociatave para se të fillojë procesi i ndryshimeve kushtetuese, për inkorporim të bullgarëve.

    Sipas informacioneve jozyrtare, shefat e diplomacisë së Maqedonisë dhe Bullgarisë, Bujar Osmani dhe Teodora Gençovska, kanë pasur një takim dypalësh në margjinat e Samitit të NATO-s.

    Presidenti dhe kryeministri bullgar tashmë e kanë mbështetur propozimin francez dhe do të ketë diskutime në ditët në vijim në Shkup, deklaroi Macron.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!