×
  • Lajme
  • Lajme

    “Shteti i Kosovës mban vulën e Adem Jasharit”, “Ai është i gjallë”, krejt çfarë thanë Osmani e Kurti në shënimin e Epopesë së UÇK-së

    Reporteri
    05 Mars 2023 | 16:33

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë marrë pjesë në ceremoninë e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së, me rastin e shënimit të Epopesë së UÇK-së.

    Presidentija Vjosa Osmani është shprehur se po përkujtohet 25 vjetori i një ngjarjeje që, sipas saj, ndryshoi rrjedhën e historisë.

    “Sot jemi mbledhur për të përkujtuar 25 vjetorin e një ngjarjeje që ndryshoi rrjedhën e historisë, një ngjarje që i tregoi botës se çfarë mund të arrijë një popull që e do dhe e meriton lirinë, sidomos kur në krye të tij ka patriotë të devotshëm e trima sikurse komandanti legjendar, Adem Jashari me familjen e tij, por edhe vajza e djem të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, u shpreh ajo.

    Osmani tha se kujtimi për heronjtë dhe respekti për luftëtarët do jetë gjithmonë në zemrat dhe mendjat e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

    “Kjo liri dhe ky shtet mbajnë vulën e komandantit legjendar Adem Jashari, familjes së tij dhe të 3 mijë dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mijëra luftëtarëve që i kemi edhe sot mes nesh”, tha ajo, duke shtuar se “ne u detyrohemi atyre”.

    “Të gjithë heronjëve të rënë, faleminderit përjetësisht, faleminderit për shërbimin, guximin dhe sakrificën gjithë luftëtarëve tanë, kujtimi për heronjtë dhe respekti për luftëtarët do jetë gjithmonë në zemrat dhe mendjat e të gjithë qytetarëve të Kosovës, duke e çmuar dhe ruajtur fortë lirinë dhe Republikën tonë, Zoti e bekoftë familjen Jashari, Zoti i bekoftë të gjithë dëshmorët tanë, Zoti i bekoftë qytetarët tanë dhe Republikën e Kosovës”, u shpreh Osmani.

    Kurse kryeministri Albin Kurti tha se që nga 5, 6 dhe 7 marsi i vitit 1999, kur UÇK shënoi 1 vjetorin e rezistencës së familjes Jashari, Ushtria e Kosovës ka pasur rol qendror në përkujtimin e ngjarjeve të këtyre datave.

    “Që nga marsi i vitit 1999, teksa ende ishte kohë luftë, kur trupa artistike ushtarake e Hamëz Jasharit, e përbërë nga akterë dhe ushtarë që me uniformë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shënuan 1 vjetorin e rezistencës së familjes Jashari, Ushtria e Kosovës ka pasur rol qendror në përkujtimin e ngjarjeve të 5,6 dhe 7 marsit të 1998 në Prekaz”, tha Kurti.

    Ai përmendi komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari ku tha se tërë jetën ia ka kushtuar përgatitjes për luftën e Kosovës për çlirim.

    “Në këtë 25 vjetor të Epopesë së UCK-së le të kujtojmë fillet e kësaj traditë përkujtimore të nisur më 5, 6 dhe 7 mars 1999 ku ushtarët e UÇK-së thanë për herë të parë Ai është gjallë. Ato ditë ishte ende koha e luftës, për të cilën Adem Jashari ishte përgatitur tërë jetën dhe asaj luftë që ai ia kushtoi tërë jetën. Ai është gjallë edhe sot, veçanërisht sot dhe veçanërisht tek ju ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Është kështu sepse origjina e Ushtrisë së Kosovës duhet kërkuar në fund të viteve 80 atëherë kur Ademi nisi të fliste me shokët, për nevojën që kishte Kosova për të patur ushtrinë, andaj sot ne e përmbushim edhe vizionin e atëhershëm të Adem Jasharit për Ushtrinë e Kosovës teksa e ndihmojmë Forcën e Sigurisë së Kosovës e cila është në proces të transformimit në Forca të Armatosura të Kosovës”, tha Kurti.

    Kurti iu drejtua ushtarëve duke iu thënë se sa herë që ata e veshin uniformën, ta dinë se është uniformë me prejardhje nga Adem Jashari.

    “Për më tepër që e tëra kjo po ndodhë në këtë ceremoni përkujtimore të 25-vjetorit të rënies heroike të Adem Jasharit, në kazermën qendrore të Forcave të Sigurisë së Kosovës, që mban emrin Kazerma “Adem Jashari”. Prandaj, ju ushtare dhe ushtarë, nënoficerë dhe oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, sa herë që e veshni uniformën tuaj, mos harroni që po e mbani një uniformë të prejardhur nga uniforma e Adem Jasharit, Kryekomandatit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Kurti.

    Sot qindra qytetarë nga treva të ndryshme shqiptare sot vizituan Prekazin, me rastin e 25-vjetorit të rënies heroike të familjes Jashari. /Reporteri.net/.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!