×
  • Lajme
  • Lajme

    Shtyerja e zgjedhjeve në Veri, shtetet e QUINT-it dalin me deklaratë: Vendim konstruktiv

    Reporteri
    10 Dhjetor 2022 | 17:17

    Shtetet e QUINT-it dhe Zyra e Be-së në Kosovë kanë mirëpritur vendimin për shtyerjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat në veri, vendim ky që erdhi pas një takimi që presidentja e vendit Vjosa Osmani kishte sot me partitë politike, shkruan Reporteri.net.

    Ata e kanë quajtur këtë vendim si konstruktiv dhe i cili avancon përpjekjet për të promovuar një situatë më të sigurt në veri, e cila është kyçe për Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si e vetmja rrugë përpara për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    “Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Zyra e BE-së mirëpresin vendimin e qeverisë së Kosovës dhe liderëve të partive politike për shtyrjen e zgjedhjeve komunale dhe për kryetar komunash në katër komunat veriore në këtë kohë. Ky vendim konstruktiv avancon përpjekjet për të promovuar një situatë më të sigurt në veri, e cila është kyçe për Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si e vetmja rrugë përpara për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në deklaratë.

    Presidentja Osmani ka bërë të ditur se ka pasur konsensus të plotë mes partive politike për shtyrjen e zgjedhjeve në veri të vendit dhe se është marrë parasysh edhe vlerësimi i institucioneve kompetente rreth situatës së sigurisë në veri të vendit.

    Vendimi i Presidentes udhëzon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve në datën e re.

    Shtyerja e zgjedhjeve ishte kërkuar edhe nga partnerët ndërkombëtarë, pas incidenteve të vazhdueshme që këtë javë ndodhën në veri të vendit. /Reporteri.net

    Zyrtare: Zgjedhjet në Veri caktohen për datën 23 Prill

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!