×
  • Lajme
  • Lajme

    Shukri Buja pushon aktivitetin në NISMA

    Reporteri
    14 Korrik 2019 | 11:44

    Ish-Kryetari i Lipjanit ka vendosur të pushojë aktivitetin partiak në subjektin e Fatmir Limajt. Shukri Buja nuk ka dhënë shenja se do të shkojë te ndonjë parti tjetër dhe as mundësinë e rikthimit në PDK qysh bëri kushëriri i tij, Ramë Buja.


    Ka disa muaj që anëtari i Nismës Socialdemokrate, Shukri Buja nuk është bërë “i gjallë” në partinë e Fatmir Limajt. Zyrtarë të kësaj partie kanë deklaruar se i njëjti nuk është më fort aktiv, e deklaratat e tyre i ka konfirmuar edhe vetë Buja.

    Në një prononcim për Gazetën Express, Buja e ka pranuar se nuk është më aktiv në politikë. Thotë se dorëheqje zyrtare nuk ka dhënë ende, por se aktualisht nuk është duke u marrë me ndonjë aktivitet politik.

    “Nuk jam aktiv në politikë, as në Nismë e as në ndonjë parti tjetër politike. Dorëheqje zyrtare nuk kam dhënë, por nuk jam tu u marr me asnjë aktivitet. Thjeshtë nuk do të mirrem me politikë. Jo, njëherë nuk kam ndonjë plan me iu bashku ndonjë partie. Thjeshtë jam tu pauzu, pra në politikë nuk jam aktiv.”, ka thënë Buja për Express, të shtunën.

    I pyetur nëse do t’i bashkohet ndonjë partie muajve në vijim, ka thënë se nuk e planifikon një gjë të tillë. Ndërkohë, për vendimet e shefit të PDK’së për shkarkimin e zyrtarëve me aktakuza, parti në të cilën dikur ishte anëtar i kryesisë, thotë se nuk dëshiron të komentojë këtë çështje.

    Ndryshe, Buja ka dhënë dorëheqje kohë më parë nga posti i kryetarit të degës së PDK-së në Lipjan, si dhe nga kryesia e PDK-së. Arsyet e dorëheqjes së tij, Buja i kishte bërë të ditura në një letër pesë faqe që ia kishte dërguar kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli dhe kryesisë së partisë.

    Buja ka qenë kryetar i Komunës së Lipjanit dhe deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së.

    Pas largimit nga PDK’ja, ai kishte kaluar në partinë e Fatmir Limajt.

    Buja që ka pasur pozitën e Komandantit të UÇK’së është ftuar për intervistim edhe nga Specialja në cilësinë e të dyshuarit për krime luftë. Intervistimi i tij pritet të ndodhë më 22 korrik.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!