×
  • Lajme
  • Lajme

    Sindikatat paralajmërojnë grevë prej të mërkurës nëse s’marrin përgjigje nga Presidenti dhe Kryeministri

    Reporteri
    09 Dhjetor 2019 | 18:24

    Pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Paga për sektorin publik, institucioni i Avokatit të Popullit e ka dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e përputhshmërisë së këtij Ligji me Kushtetutën, e për këtë, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Sindikata e Policisë dhe e Arsimit, kanë reaguar ndaj këtij vendimi derisa kanë kërkuar që të zbatohet ligji.


    Sindikata e Policisë dhe e Shëndetësisë kanë deklaruar se ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje lidhur me thirrjen për takim me Presidentin dhe Kryeministrin e vendit.

    Derisa thonë se nëse nuk marrin asnjë përgjigje nga institucionet relevante, të gjithë punëtorët e arsimit dhe shëndetësisë do të hyjnë në grevë derisa punëtorët e policisë paralajmërojnë protestë.

    Kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosvës, Shaban Tasholli tha se pakënaqësia është e lartë dhe se në protestë nuk mund të parashikohet çfarë mund të ndodhë.

    “Ne aspak nuk e kemi pritur që do të ndodhë kjo sepse kjo punë është që nga shkurti-mars i këtij viti. Në bashkëpunim me qeverinë, me stafin e menaxhues të policisë, sindikatën jemi dakorduar që kjo sistem i pagave të hyjë në fuqi. Kjo është nënshkruar nga qeveria dhe Kuvendi, dhe tani në fund të vitit dalin disa ankesa te avokati i popullit dhe duhet ta anulojmë krejt atë aprovim të ligjit kur ne jemi të pakënaqur. Për ne është e papranueshme, policia kanë menduar që në këtë vit do ta marrin një shtesë më të lartë, tani vjen lajmi negativ sepse avokati i popullit e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese”.

    “Pakënaqësia ëshë mjaftë e lartë te punëtorët e policisë. Kemi diskutuar me sindikatën e arsimit dhe mjekësisë që të hyjmë në grevë por do të presim derisa të marrim përgjigje nga presidenti apo kryeministri apo kryeparlamentari në detyrë. Apo edhe me Albin Kurtin e Isa Mustafën t’i tregojmë se pakënaqësitë të cilat ekzistojnë, sepse nesër mund të ndodhe greva në shëndetësi dhe arsim derisa protestë në polici. Përgjigje nuk kemi ende, por nëse nuk japin përgjigje fare, ne tri sindikatat do të marrim hapat e përbashkët. Ne nuk mund të parashikojmë asgjë, por e di që pakënaqësi është shumë e lartë”, u shpreh Tasholli.

    Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, ka thënë se deri nesër presin që të ketë një përgjigje nga Presidenti e Kryeministri i vendit.

    Sipas Sylës, është duke u rritur vazhdimisht shqetësimi dhe pakënaqësia e punëtorëve të sindikatave.

    “Ne kemi marrë vendim që së bashku t’i drejtohemi të gjithë rivalëve politik në Kosovë duke filluar nga Presidenti , pastaj me Kryeministrin në detyrë si dhe liderët e të gjitha partive politike dhe këtyre që pretendojnë të bëjnë koalicionin e ardhshëm qeveritar. Kemi caktuar një kohë që ne kemi konsiderua që është e mjaftueshme dhe ajo do të ishte deri sot apo nesër eventualisht, mirëpo deri në këto momente nuk kemi asnjë ftesë nga asnjëra palë dhe si e tillë edhe shqetësimi është duke e rritur dhe me këtë shqetësim edhe nervozë”, tha ai për Ekonomia Online.

    Siç tha Syla, me këtë injorim është duke u injoruar popullata pasi që sindikatat përbëjnë rreth 60-70 mijë punëtorë.

    Ndër të tjera, Syla tha se punëtorët që nga sot kanë dashur të fillojnë me aksione derisa përmend që greva e paralajmëruar mund të jetë më e pakta.

    “Është për më të ardhë keq në këtë rast se si injorohet popullata dhe nuk jemi duke u injoruar ne si liderë të sindikatës, po është duke u injoruar popullata me një krizë e cila është në ardhje dhe që parashihet që t’i përfshijë përmbi 60-70 mijë punëtorë të cilët kanë pritur rritjen e pagave në fund të vitit dhe të injorohemi në mënyrë të tillë me të vërtet një faturë duhet ta paguaj dikush këtu”.

    “Ajo çka di unë që punëtorët vazhdimisht kanë kërkuar që nga sot të fillohet me aksione sindikale por normalisht që ne do t’i shtjerrin të gjitha mundësitë deri të mërkurën. Unë di që veprimet do të jenë sindikale dhe do të del nga këshilli drejtues se çfarë veprime do të jenë sepse nuk e di dhe nuk mund ta paragjykojë , greva është gjëja më e butë që kishte me ndodh dhe kam frikë që do të ndodhë diçka më e keqe”, u shpreh Syla.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!