×
  • Lajme
  • Lajme

    Sivjet dy “Darka të Lamës” – Hoti dhe Osmani i organizuan ndaras

    Reporteri
    31 Tetor 2020 | 14:49

    Kryeministri Avdullah Hoti shtroi më 22 tetor ‘Darkën e Lamës’ – një darkë tradicionale që e shtronte ish-presidenti Ibrahim Rugova.


    Kur Qeveria kishte njoftuar për këtë, nga kabineti i kryeparlamentares Vjosa Osmani patën reaguar duke thënë se kryeministri ua ka vjedhur idenë.

    “Ishte nder i jashtëzakonshëm ta shtroj “Darkën e Lamës” sonte. Kjo festë shumë e vjetër, është shënuar që nga shekulli V para Krishtit. Në vitin 2002, Presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, e pati shpallur Festën e Ditës së Falënderimit – Darkën e Lamës, festë tradicionale shtetërore të Republikës së Kosovës”, kishte njoftuar kryeministri Avdullah Hoti në Facebook.

    Kështu, para pak ditësh, kryeministri ‘realizoi’ idenë e tij për Darkën e Lamës, mirëpo të njëjtën e ka bërë edhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani.

    Osmani së bashku me prodhuesit vendorë dhe përfaqësues të bizneseve nga diaspora, ka organizuar të premten mbrëma Darkën e Lamës, një traditë e filluar nga presidenti Ibrahim Rugova.

    Në të kanë marrë pjesë ambasadorë të akredituar në Kosovë, përfaqësues të partive politike dhe bizneseve kosovare.

    Kjo darkë është organizuar konform respektimit të masave anticovid, teksa qëllim kryesor ka promovimin e produkteve vendore dhe punën e prodhuesve vendor, të cilët kanë pësuar nga pandemia Covid-19.

    Kryetarja Osmani ka thënë se kultivimi i traditës e mbanë të gjallë shpirtin e kombit.

    “Darka e sivjetme mbahet në rrethana të rënduara për shkak të pandemisë. Këto rrethana na mbajnë më larg njëri-tjetrit fizikisht, por me karakterin e saj, do të na e rikujtojë se sa i rëndësishëm është besimi në njëri-tjetrin, në miqtë tanë, të cilët na janë gjetur përkrah në ditë të vështira e në ditë të mira, kanë ndarë me ne gëzimin e hidhërimin dhe e kanë përcjellë bashkë me ne lutjen për të mirat e motmotit”, ka thënë kryetarja Osmani.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!