×
  • Lajme
  • Lajme

    S’ka shtesa për ta, Sindikata e quan Qeverinë “armike të sektorit privat”

    Reporteri
    25 Janar 2023 | 15:13

    “Qeveria e Albin Kurtit është armike e punëtorëve të sektorit privat“, është akuza e Jusuf Azemit, kryetarit të Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, pasi ekzekutivi nuk e përfshiu këtë kategori punëtorësh në dhënien e shtesave për ta përballuar inflacionin.

    Të mërkurën, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka njoftuar se do të ndahen nga 50 euro shtesë për punëtorët e sektorit publik.

    Kjo e ka irrituar përfaqësuesin e sektorit privat, Jusuf Azemin, i cili iu sugjeron të rinjeve ”të largohen nga Kosova po sa të vjen mundësia“ – nuk sheh shpresë që do të ketë përmirësim.

    ”Vërtetë kam menduar që pas argumenteve që iu kemi dhënë do të vetëdijësohen, por këta po vazhdojnë njëjtë. Ky është diskriminim, njëjtë sikur në vitet e 90’ta kur diskriminoheshin punëtorët shqiptarë. Përderisa ka paga me 170 euro, Qeveria subvencionon ata me 500-600 euro”, thotë Azemi.

    Përkundër se e cilëson ekzekutivin “armike të sektorit privat“, Azemi thotë se nuk kanë plane për të protestuar.

    “E kami parë sesi janë trajtuar punëtorët e arsimit dhe administratës përkundër asaj se e kanë bllokuar shtetin për 1 muaj e gjysmë”, thotë Azemi teksa nuk ka shpresë që ekzekutivi do të reflektojë.

    Pos kësaj sindikate edhe deputetja opozitare e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu, ka kritika për mos ndarjen e mjeteve shtesë edhe për punëtorët e sektorit privat.

    “Ministri i Financave ka qenë i prerë që nuk do të ketë mjete shtesë për punëtorët e sektorit privat dhe kjo mendoj që është shumë gabim pasi kjo kategori shoqërore po përballet me vështirësi për shkak të inflacionit”, ka thënë Deliu.

    Deputetja thotë se pushteti nuk është duke i mbështetur punëtorët e sektorit privat – teksa shton se ka qasje diskriminuese.

    “Ministri Murati ka kërkuar që këto shtesa duhet të ndahen prej punëdhënsve, por në kohën kur jemi duke u pëbralluar me krizë të rëndë ekonomike duhet që këta punëtorë të mbështeten direkt nga shteti”, ka deklaruar ajo.

    Kosova po përballet me një gjendje të rëndë ekonomike e ndikuar kryesisht nga pandemia COVID-19 dhe lufta e Rusisë në Ukrainë. Por opozita thotë se Kurti i posedon mekanizmat shtetërorë për të lehtësuar situatën e krijuar.

    Meqë tregu Kosovar dominohet nga importi, çrregullimi i tregjeve ka reflektuar negativisht në terrën – është arsyetimi i ekzekutivit.

    Megjithatë përkundër inflacionit, pagat në Kosovë nuk kanë lëvizur, ajo minimale mbetet 170 euro për personat mbi 35 vjeç dhe 130 për ata nënë këtë moshë, ndërkaq mesatarja është 432 euro, referuar të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

    “Ndërkohë Ligji për Pagat është miratuar por koeficenti i punëtorëve të sektorit publik nuk dihet”, thotë Blerta Deliu.

    Në anën tjetër, Azemi e përmendi edhe mos votimin e projektligjit të Trustit Pensional si një nga politikat e Lëvizjes Vetëvendosje “që po ia vështirësojnë jetën punëtorëve të sektorit privat”.

    E Albin Kurti, kryemninistëer i Kosovës vazhmisht është krenuar me rritjen ekonomike dy-shifrore të realizuar në vitin 2021.

    “Zhvillimi ekonomik ka qenë dhe mbetet prioriteti ynë. Gjatë vitit të kaluar, politikat dhe veprimet tona kanë pasur ndikim pozitiv. Kemi shënuar rritje ekonomike prej 10.53 % të bruto produktit vendor, eksporti është rritur për 83 % dhe investimet e huaja direkte janë rritur për 22%”, kishte thënë Kurti më 21 qershor 2022 përmes një adresimi public.

    Por Kurti pos rritjes ekonomike e cila i kontestohet nga opozita për shkak të termave nominale, kishte premtuar edhe mbrojtjen e të drejtave të sektorit privat.

    Deliu kritikoi ekzekutivin se “disa punëtorë punojnë me orar të tejzgjatur si dhe pa kushte pune”.

    Kurti më 1 maj 2021 kishte premtuar se ”Qeveria do të jetë partnere e organizimit sindikal në sektorin privat“.

    E sipas Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Kosova ka vetëm 17 shoqata sindikale prej më shumë se 60 mijë bizneseve.

    Punëtorëve të sektorit privat ekzekutivi iu ka ndarë vetëm një herë nga 100 euro gjatë tremujorit të dytë të vitit të kaluar./Express

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!