×
  • Lajme
  • Lajme

    S’ka shujta falas për nxënësit në Prizren, opozita e quan dështim të pushtetit

    Reporteri
    26 Shtator 2020 | 23:16

    Edhe ky vit i ri shkollor në Komunën e Prizrenit ka filluar pa ofrimin e shujtës ushqimore dhe qumështit falas për nxënësit deri në klasën e pestë.


    Sipas zyrtarëve komunalë, për këtë projekt janë iniciuar procedurat e prokurimit qysh nga viti i kaluar dhe se shkaku i ankesave të përsëritura nga operatorët ekonomikë lënda ka mbetur në OSHP, raporton KTV.

    Ndërsa opozita pohon se ky premtim i papërmbushur tregon mungesën e performancës së qeverisë komunale në realizimin e projekteve.

    Nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Visar Shehu, ka pohuar se pushteti lokal ka planifikuar në buxhetin e DKA-së mjetet për realizimin e projektit të shpërndarjes së shujtave për nxënësit dhe se në momentin që përfundon procedura e ankesave, do të lidhet kontrata me operatorin fitues dhe do të nisë shpërndarja e shujtave.

    Por nga opozita, kryetari i Degës së PDK-së, Shaqir Totaj, ka thënë se premtimi për shujtat e nxënësve jo që nuk po mbahet, por nga Komuna nuk ka as transparencë se përse nuk po realizohet ky projekt.

    Javë më parë Instituti GAP ka publikuar progresin në përmbushjen e premtimeve nga kryetarët e komunave, ku figuron se deri në qershor 2020 shujtat ushqimore nuk janë shpërndarë për nxënësit dhe shtohet se: “Komuna ka raportuar se procedurat tenderuese kanë mbaruar, është kontraktuar kompania dhe në momentin që fillon mësimi do të bëhet dhënia e shujtave”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!