×
  • Lajme
  • Lajme

    Skandal nga kryeinspektori i Kosovës: Vet i shkel masat kundër pandemisë, por të tjerët i dënon

    Reporteri
    24 Nëntor 2020 | 20:24

    Kryeinspektori Sanitar, i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Ibrahim Tërshnjaku, që është zyrtari kryesor në mbikëqyrjen dhe zbatimin e masave anti-Covid-19 dhe gjobit qytetarët e bizneset për mos respektim të masave, ka thyer vet rregullat që janë vendosur nga Qeveria e Kosovës për ta luftuar pandeminë.


    Më 15.11.2020, kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka publikuar një fotografi në rrjetin social Facebook, ku shihen shumë zyrtarë të lartë shtetëror, kryetar komunash, deputetë, por edhe zyrtari kryesor mbikëqyrës dhe zbatues ndaj masave anti-Covid, që gjobit të gjithë qytetarët dhe bizneset, sikur është kryeinspektori sanitar i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Ibrahim Tërshnjaku.

    Në këtë fotografi të publikuar janë më shumë se 70 persona që nuk kanë as maska dhe as distancë në mes veti.

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ligjërisht funksionon nën përgjegjësinë e zyrës së Kryeministrit të Kosovës.

    Për këtë skandal, Syri.net Kosova ka dërguar pyetje në Zyrën e Kryeministrit për ta marrë një sqarim dhe ka pyetur se a do të ndërmerren masa ndaj veprimeve skandaloze të Tërshnjakut.

    Por, deri më tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga Zyra e Kryeministrit.

    Bazuar në vendimet e fundit të Qeverisë së Kosovës për masat anti-Covid, ndalohet grumbullimi i më shumë se pesë personave edhe në ambiente të hapura.

    Deri më tani kryeministri, Avdullah Hoti, nuk ka ndërmarr asnjë veprim ndaj shkeljes serioze që i ka bërë Tërshnjaku.

    Në faqen e internetit të Zyrës së Kryeministrit, janë katër agjenci që janë nën mbikëqyrjen e shefit të ekzekutivit.

    “Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë është Agjenci Ekzekutive, e cila vepron në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe ushtron funksionet dhe përgjegjësit e saj të përcaktuara me Ligjin Nr. 03/L-016 për Ushqimin dhe Rregulloren nr.03/2010 për organizimin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (17.09.2010)”, thuhet në faqen e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.

    Ehat Miftaraj që është drejtor ekzekutiv në Institutin i Kosovar për Drejtësi, thotë se zyrtarët e shtetit po vazhdojnë me shkeljen e masave anti-Covid dhe janë shembulli më i keq për shoqërinë.

    “IKD gjatë ditës ka publikuar reagimin lidhur me shkeljen e masave kundër pandemisë COVID-19 nga ana e qeveritarëve përfshirë kryeministrin Hoti, ministrin Veliu dhe politikanë tjerë në fushatën zgjedhore në Podujevë. Për më tepër reagimi i institucioneve ligj-zbatuesve ndaj këtyre zyrtarëve publik pothuajse nuk ekziston fare, duke zbatuar ligjin dhe masat në mënyrë selektive dhe atë vetëm ndaj qytetarëve të thjeshtë. Përderisa, zyrtarët e lartë publik do të duhej të ishin shembull për zbatimin e ligjit dhe masave kundër COVID-19, të njëjtit veprojnë në kundërshtim me këto obligime ligjore, duke përgjuar mesazhin më të keq tek qytetaret”, ka thënë Miftaraj për Syri.net Kosova.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!