×
  • Lajme
  • Lajme

    Sot dëgjojnë për UÇK-në në Hagë, por për dy dekada nxënësit kosovarë nuk mësuan asgjë në shkolla për luftën

    Reporteri
    27 Nëntor 2020 | 13:55

    Krijimi i Gjykatës Speciale, e më pas ngritja e aktakuzave për ushtarët e UÇK-së nga Haga, ka bërë që edhe njëherë të përmendet vlera luftës që u bë për çlirimin e Kosovës nga shteti serb. Por, 20 vjet pas, gjeneratat e reja nuk dinë shumë se çka ndodhi në vitet ’98 dhe ‘99, kjo për faktin e mungesës së informacioneve në librat e historisë, për zhvillimet e kësaj periudhe. MASHT dhe të njohësit e historisë, flasin për injorimin që iu bë luftës së UÇK-së, tash e sa kohë


    Formimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si nevojë për çlirimin e vendit, që atëkohë ishte krahinë e Serbisë, ka qenë një nga veprimet vendimtare dhe më urgjente. UÇK u krijua, doli në vijë të frontit dhe luftoi kundër agresionit serb.

    Pas çlirimit, me ndihmën e shteteve mike, UÇK-ja e transformuar më pas në TMK, mbeti një institucion krenarie, mburrje e motivimi për gjithë shqiptarët, por edhe për të tjerët që panë se si duhet mbrojtur atdheu, duke dhënë edhe jetën, shkruan Syri Kosova.

    Ndonëse gjeneratat e vjetra e përjetuan, janë ato të rejat, nga viti 2000 e pas, që për UÇK-në dhe sakrificën e saj, dinë pak, thuajse fare. Kjo se, për luftën që u zhvillua për dy vjet në Kosovë, ata mësojnë vetëm në klasën e nëntë dhe atë në disa faqe.

    Prandaj, shihet si e domosdoshme një ndryshim i formës së si paraqitet historia e Kosovës në librat e kësaj lëmie.

    Këshilltari i ministrit të Arsimit, Enver Osdautaj, ka thënë se MASHT-i për ndryshimin e kurrikulave të teksteve, merr rekomandime nga ekspertët e fushave përkatëse.

    “Kurrikula e teksteve të librave shkollorë, ndryshon në vazhdimësi dhe këto ndryshime vijnë nga rekomandimet e ekspertët e fushave të ndryshme. Nëse ka mungesë të informacioneve dhe ata argumentojnë se këto ndryshime duhet të bëhen, ato bëhen gjithsesi”, tha Osdautaj, duke mos dashur t’u përgjigjet pyetjeve tjera.

    E një kërkesë për ndryshim të tillë, eksperti i historisë, Haxhi Ademi, thotë se nuk e kanë bërë akoma, por, kanë reaguar në forma tjera për ndryshimet e duhura.

    “Kërkesë zyrtare nuk kemi bërë ende, por, gjithsesi që kemi reaguar në mediume të ndryshme në lidhje me tekstet e lëndës së historisë, për periudhën e luftës së viteve 1998- 1999. Kemi kërkuar në vazhdimësi të ketë më tepër material dhe të jetë më mirë i strukturuar. Krejt kjo për arsye që nxënësit tanë të mësojnë më tepër dhe në mënyrë të drejtë periudhën më të lavdishme të shek.XX për shqiptarët: rezistencën e armatosur të UÇK-së dhe çlirimin e Kosovës, pas 87 viteve të okupimit nga Serbia dhe Mali i Zi (tetor 1912)” tha ai.

    Sipas Ademit, këto reagime kanë ardhur si pasojë e shkrimit skandaloz të librit të historisë, sidomos atë në të klasës së nëntë, pasi, nuk janë të numëruar mirë viktimat e kësaj lufte, të cilët herë paraqiten më shumë e herë më pak.

    “Në librin e historisë së klasës së nëntë, autori Fehmi Rexhepi ka lëshuar një varg të dhënash kontradiktore dhe kësisoj të pasakta. Kur flet për vrasjet e vitit 1998, thotë se gjatë këtij viti janë vrarë mbi “2000 civilë shqiptarë”, duke mos llogaritur të pagjeturit, ndërsa gjatë vitit 1999, sipas autorit janë vrarë 15000 civilë shqiptarë. Por, anomalia vërehet kur bënë llogaritjet e dëmeve të luftës, një faqe më tej, ku ndër të tjera thuhet se: “Rreth 12000 civilë shqiptarë janë vrarë në luftën e fundit”. Pra, tek lexuesit, në këtë rast tek nxënësit krijohet huti për numrin e të vrarëve dhe të masakruarve në luftën e fundit, ngase nuk është definuar qartë a kanë qenë 17000 apo 12000 civilë të vrarë” tha ai.

    Në fund, Haxhiu bëri thirrje që librat e historisë së klasës së nëntë dhe nxënësit të mësojnë më shumë.

    “Duhet në këto tekste të përfshihet më tepër rezistenca e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ku hynë hierarkia e saj, pastaj betejat kryesore, marrëveshjet dhe takimet kryesore me ndërkombëtarët dhe kontributi i tyre në Konferencën e Rambujes. Po ashtu, duhen të përfshihen masakrat më të mëdha dhe numri i viktimave dhe mënyra e ekzekutimit. Gjithsesi që duhet së paku të përfshihet numri i dëshmorëve të rënë për liri, numri i invalidëve, veteranëve, të dhunuarve dhe numri i personave të shpërngulur. Në mënyrë të përmbledhur duhet të përfshihen edhe dëmet materiale, ngase janë të pallogaritshme për nga vlera monetare”, theksoi eksperti i historisë.

    Ndërsa, arsimtari nga shkolla fillore “Ilir Konushevci”, Besnik Zhitia, tha për Syri.net se nxënësit mësojnë për UÇK-në dhe luftën e saj, vetëm në raste të datave të shënuara.

    “Mësojnë shumë pak, nxënësit duhet të dinë më shumë për këtë luftë të shenjtë. Ata mësojnë vetëm në klasën e nëntë, mirëpo, në data të shënuara, në ndonjë përvjetor, ne me vet iniciativë u ligjërojmë atyre, të paktën detajet elementare” tha Zhitia.

    Se lufta e UÇK-së duhet të mësohet më herët se në klasën e nëntë, e dëshmon fakti se në këtë vit, për shkak të pandemisë, nxënësit e klasës së këtij viti shkollor, nuk kanë arritur fare të vijnë deri te kjo pjesë.

    Këtë gjë e konfirmoi nxënësi Ylli K..

    “S’kem arrit me mësu hiç këtë vit se për shkak të pandemisë. Ne kemi mësuar online, nuk kemi ardhur te kjo pjesë se është diku në faqen 160, e as që e kemi përmendur” tha ai.

    Nga ana tjetër, mësimi për historinë e Kosovës dhe luftën e saj, por, edhe për krijimin e Gjykatës Speciale dhe për vazhdimësinë, burimi i vetëm i informimit për nxënësit, po dalin të jenë mediet dhe ajo se çka shkruhet në Internet, mirëpo, nga kjo e fundit, nuk dihet se sa të besueshme dhe të konfirmuara janë ato që thuhen.

    Po ashtu, vlen të theksohet fakti se përpos që ka mungesë të informacioneve për çështjen e lartpërmendur në librat kosovarë, javë më parë janë vërejtur e argumentuar fakte se si paraqitet shteti i Kosovës në librat ballkanik, duke pasur mungesa të fotove të flamurit e detaje nga himni, por edhe forma se si janë paraqitur shqiptarët si primitivë e shkelës të të tjerëve. /syri/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!