Sot është ditëlindja e heroit Agim Ramadani

Agim Ramadani lindi më 3 maj 1963 në fshatin Zhegër të komunës së Gjilanit. Të parët e tij vijnë nga Malësia e Karadakut, fshati Depcë komuna e Preshevës. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, të mesmen në shkollën teknike në Gjilan në vitin 1980, ndërsa Akademinë ushtarake-drejtimi i komunikacionit në Zagreb të Kroacisë.


Agimi ishte poet e piktor, poezitë e tij janë botuar në revista e në dorëshkrime, kurse si piktor ai organizoi ekspozita kolektive e personale në Zagreb ku edhe punoi si ushtarak.

Me fillimin e luftës në Kroaci ai braktisi Armatën Jugosllave ku punoi si oficer, dhe u shpërngul në Zvicër si emigrant politik. Në Zvicër, Agimi vazhdoi aktivitetet e tij në poezi e pikturë dhe në vitin 1998 pranohet si anëtar nderi në Akademinë Evropiane të Arteve.

Agim Ramadani në vitin 1998 vendosi të kthehet në Kosovë dhe të marrë pjesë në luftën për çlirimin e vendit. Si ushtarak i shkolluar dhe me përvojë ai dha kontribut të madh në realizimin e aksioneve guerile dhe luftës frontale në Betejën e Koshares. Pseudonimi i tij në luftë ishte “Katana” që nënkupton shpatën tradicionale japoneze.

Brigada 138 e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mori emrin e Agim Ramadanit pas rënies së tij në frontin e luftës më 11 prill 1999, dy ditë pas thyerjes së kufirit shqiptaro-shqiptar.

Agim Ramadanit i është akorduar urdhëri “Hero i Kosovës” nga ish presidenti Fatmir Sejdiu.

Në qendrën e qytetit të Gjilanit është e vendosur shtatorja e heroit Agim Ramadani