×
  • Lajme
  • Lajme / Propozimi i qeverisë

    Stano: Përmbajtja e draftit e panjohur, nuk është diskutuar as me Serbinë e BE-në

    Reporteri
    16 Maj 2024 | 21:10

    Bashkimi Evropian ka thënë të enjten vonë se e ka “të pamundur” ta vlerësojë tani për tani një propozim të Qeverisë së Kosovës për ta përpiluar dhe dërguar në Kushtetuese një draft-statut të vetin për themelimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe, duke thënë se nuk është në dijeni për përmbajtjen e tij.

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se një draft i tillë duhet të diskutohet edhe me Serbinë dhe me bllokun, i cili e ndërmjetëson dialogun mes dy vendeve fqinje prej vitit 2011.

    “Përmbajtja e një statuti, që Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar ta përpilojë, është e panjohur dhe nuk është diskutuar as me Serbinë, e as me ndërmjetësuesin [e dialogut Prishtinë-Beograd] BE-në. Prandaj, është e pamundur që të vlerësohet përputhshmëria e tij me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 në këtë fazë”, tha Stano për Radion Evropa e Lirë .

    Të enjten në mëngjes, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, njoftoi se kishte informuar Këshillin e Evropës se Kosova mëton të përgatisë një draft-statut dhe ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese për interpretim në fund të muajit.

    Më vonë gjatë ditës, ajo tha në një konferencë për media se Kosova është në “fazën e zotimit” për hartimin e një draft-statuti për themelimin e Asociacionit, dhe “jo në një fazë të avancuar”.

    Stano tha se BE-ja e mirëpret gatishmërinë e shprehur më në fund nga Kosova për t’u angazhuar tani, pasi “për keqardhje, Kosova prej vitit 2013 nuk e ka ndërmarrë asnjë hap drejt themelimit të Asociacionit, e me këtë edhe drejt forcimit të të drejtave të pakicave, edhe pse ka pasur raste të shumta për të bërë këtë”.

    Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin: më 2013 dhe 2015, gjatë dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

    Por, Gjykata Kushtetuese tha më 2015 se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionin nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit. Qeveria e Kosovës vazhdimisht është shprehur kundër një asociacioni njëetnik.

    Vitin e kaluar, Bashkimi Evropian ua paraqiti palëve një draft-statut për Asociacionin, të cilin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk e pranon.

    “Është me rëndësi të rikujtojmë se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë Serbe është një obligim i pazbatuar për një kohë të gjatë nga Kosova, i cili del nga marrëveshja e vitit 2013 e dialogut. Kjo është marrëveshja e vetme e dialogut që është ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës me dy të tretat e votave. Prandaj, është obligim i qartë i Kosovës, sipas së drejtës ndërkombëtare” shtoi ai.

    Megjithëse disa vende të bllokut, si Franca dhe Gjermania, i kanë bërë thirrje të Kosovës të bëjë hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit, Stano tha se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja dhe kërkesa e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës nuk ndërlidhen.

    “Dialogu i lehtësuar nga BE dhe kërkesa e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës janë procese të ndara. Megjithatë, edhe BE edhe Këshilli i Evropës bazohen në respektimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave”, theksoi Stano.

    Franca, Gjermania dhe Italia kanë ngulur këmbë në një letër dërguar kryeministrit Kurti më 15 maj, se ato e mbështesin draft-statutin e propozuar nga i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, për themelimin e Asociacionit.

    Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e quajti të enjten “mashtrim dhe përpjekje joserioze” nga Kosova njoftimin se ajo synon ta hartojë një draft-statut për themelimin Asociacionit.

    Vuçiq tha në samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të BE-së, që po mbahet në Kotorr, se Kosova nuk mund ta bëjë një draft-statut të tillë pa pajtimin e shtetit fqinj.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!