×
  • Lajme
  • Lajme / Viti i ri shkollor

    Subvencionohen edhe sivjet librat shkollorë

    Reporteri
    17 Maj 2024 | 22:20

    Sikurse vitin e kaluar, edhe sivjet Ministria e Arsimit ka vendosur që tekstet të mos shpërndahen nëpër shkolla sikurse ka ndodhur me vite të tëra në Kosovë. Por, ministria zotohet se sivjet do të njoftohen të gjithë më hollësisht për këtë formë të rimbursimit.

    Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci në një konferencë për media ka konfirmuar se versioni i blerjes së teksteve shkollore nga ana e prindërve dhe më pas rimbursimi i mjeteve përmes aplikimit në platformën ‘eKosova” do të aplikohet edhe këtë vit.

    “Në fillim të muajit qershor do të dalim me informata të detajuara dhe synimi është që ashtu siç kemi bërë edhe vitin e kaluar, përveç kujdesit për buxhet do të kujdesemi edhe për nxënësit duke pasur kujdes edhe për peshën e çantave”, tha Nagavci.

    Ndërkaq Rinor Qehaja, ekspert i arsimit, tha se nuk përben ndonjë dallim metoda, e rëndësishme është që teksti shkollor të arrijë te nxënësi.

    “Nga vështrimi jonë nuk është se ka ndonjë dallim nga blerja e drejtpërdrejt nga shtëpitë botuese ose nga metoda tjetër e subvesconimit direkt te ekonomitë familjare. Në secilin rast, teksti shkollor po arrin te nxënësi. Pra pas një analize të vitit të mëparshëm ja vlen të vazhdohet e njëjta metodë” , u shpreh Qehaja.

    Pavarësisht reagimeve që kishte nxitur kjo metodë, edhe përfaqësues nga Shoqata ePrindërve  thanë se ia vlen që të përdoret e njëjta praktikë.

    Ministria e Arsimit i ka shpërndarë falas librat për nxënësit e shkollave fillore nga viti 2008. Por, në vitin 2023 ky dikaster ka ndryshuar mënyrën e shpërndarjes së teksteve shkollore, për shkak të dështimit të marrëveshjes me shtëpitë botuese për furnizimin e shkollave me libra.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!