×
  • Lajme
  • Lajme

    Suksesi apo dështimi i Qeverisë së re do të varet nga krijimi i vendeve të reja të punës

    Reporteri
    13 Tetor 2019 | 8:52

    Nga veprimet në ekonomi, sidomos në krijimin e vendeve të reja të punës, do të varet suksesi apo dështimi i qeverisë së re, ashtu sikurse i të gjitha qeverive deri më tani, ka thënë Agron Demi. E, me rritjen e vendeve të punës, ai ka parashikuar se mund të bjerë edhe shkalla e migrimit.


    Demi është analist politikash në Institutin GAP dhe, në një intervistë dhënë “Kohës Ditore”, ka folur për problemet më kryesore me të cilat përballet vendi, për veprimet që duhet ndërmarrë menjëherë qeveria e re, por edhe për prioritetet mandator që duhet t’i ketë kjo qeveri.

    Ai ka treguar edhe se cilat janë pritjet e përgjithshme, nga ekzekutivi që pritet të drejtohet nga Lëvizja Vetëvendosje, subjekt të cilin e nxorën fitues zgjedhjet e 6 tetorit.

    KD: Z. Demi, cilat janë veprimet që kërkojnë më shumë urgjencë, e që duhet ndërmarrë nga qeveria e re që në ditët e para të punës?

    Demi: Ekzistojnë disa sfida të cilat me vullnet politik mund të zgjidhen menjëherë. Serioziteti i qeverisë së re, duke supozuar se ajo do të përbëhet nga koalicioni Vetëvendosje-LDK, do të shihet që në ditën e parë.

    A do t’i përmbahen këto dy parti premtimit për një qeveri më të vogël, me dy zëvendëskryeministra, 12 ministri, 24 zëvendësministra maksimumi dhe me së paku katër gra ministre? Nëse po, një veprim i tillë do të kursente mbi 11 milionë euro brenda mandatit qeverisës vetëm në paga të pozitave të larta politike, pa llogaritur këtu edhe shpenzimet e tjera që shkojnë me këto pozita. E siç keni raportuar edhe ju si gazetë, por edhe ne në kuadër të platformës së GAP-it për transparencë buxhetore, shpenzimet për dreka zyrtare, telefona e mëditje janë më të mëdha se pagat.

    Që në javën e parë të qeverisjes, partitë mund të vënë rregull në shpenzimet për pensionet e veteranëve të luftës, të cilat kanë dalë nga kontrolli dhe deri në fund të vitit pritet që të arrijnë mbi 78 milionë euro./KohaDitore/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!