×
  • Lajme
  • Lajme / Turi ballkanik

    Sulmi në Banjskë, shtimi i trupave e shqetësimi për zgjerim të konflikteve në rajon – krejt çka tha shefi i NATO-s dje në Prishtinë

    Reporteri
    21 Nëntor 2023 | 7:59

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, qëndroi në Kosovë gjatë ditës së djeshme  në kuadër të një turi në disa shtete të rajonit dhe në kohën e tensioneve edhe paralajmërimeve për konflikte të mundshme.

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, pati takime me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, dhe me komandantin e misionit të NATO-s, KFOR, Ozkan Ulutash.

    Shefi i NATO-s tha në Prishtinë se Aleanca po shqyrton nëse duhet të ketë një shtim të përhershëm të pranisë së saj ushtarake në Kosovë. E gjithë kjo pas shpërthimit të dhunës në veri të Kosovës me 24 shtator.

    Jens Stoltenberg ka thënë se sulmi i 24-shtatorit në Banjskë të Zveçanit ishte një shenjë që konfliktet mund të rikthehen në Ballkanin Perëndimor, shkruan Reporteri.net.

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha para gazetarëve se aktet e tilla janë të papranueshme dhe se përgjegjësit duhet të vihen para drejtësisë, derisa theksoi se 93 ushtarë të KFOR-it u lënduan.

    “Në maj ushtarët e KFOR-it u sulmuan. 93 ushtarë u lënduan rëndë dhe disa prej tyre edhe me rrezik për jetë. Aktet e tilla janë të papranueshme dhe se përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë”, tha Stoltenberg, derisa shtoi se KFOR-i vazhdon të përmbush mandatin e tij të OKB-së për të ofruar një mjedis të sigurt dhe të qetë.

    “Kemi ngritur patrolla në veri. Këta janë hapa të shpejt për të siguruar që KFOR-i vazhdon ta përmbush mandatin e tij të OKB-së në çdo kohë. Do të bëjmë atë që është e nevojshme për të mbajtur një mjedis të sigurt dhe lëvizje të lirë për të gjithë njerëzit. Stabiliteti në rajon vendoset në gjitha anët”, tha ai.

    Ai gjithashtu theksoi se vendosja e forcave të Policisë së Kosovës në veri duhet të bëhet vetëm pas konfirmimit nga NATO, për të garantuar paqen dhe sigurinë e rajonit.

    “Çdo vendosje e forcave të Policisë së Kosovës duhet të marrë konfirmimin e NATO-s, dhe çdo lëvizje e Policisë së Kosovës në atë rajon.

    Shefi i NATO-s foli edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, teksa tha se të dyja palët duhet të angazhohen në mirëbesim.

    Stoltenberg tha para gazetarëve se ka mirëpritur propozimin e fundit për themelimin e Asociacionit, derisa tha se është hap kyç drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

    “NATO e mbështet edhe dialogun e lehtësuar nga BE-ja mes Prishtinës dhe Beogradit dhe të dyja anët duhet të angazhohen në mirëbesim. Mirëpres propozimet e fundit për themelimin e Asociaconit të komunave me shumicë serbe, ky do të ishte një hap kyç drejt normalizimit të marrëdhënieve, dhe drejt paqes afatgjate dhe të qëndrueshme në rajon”, tha shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg në konferencën e përbashkët me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

    Ndryshe, vizita e Stoltenbergut në rajon vjen mes paralajmërimeve nga Ukraina se Rusia synon të nxisë konflikt mes shteteve të Ballkanit Perëndimor.

    Pas Kosovës, shefi i NATO-s më 21 nëntor do të qëndrojë në Serbi, ku është paraparë të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe me kryeministren e këtij shteti Ana Bërnabiq.

    Po të njëjtën ditë, do të vizitojë Maqedoninë e Veriut, shtet anëtar i NATO-s, ku do të takohet me krerët shtetërorë dhe do t’i drejtohet Kuvendit të këtij shteti. /Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!