
Autor: Rexhep Kameraj
Kërkesa për rishqyrtim të vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila u dërgua në formë ankese në Gjykatën Supreme nga kandidati për Kryeprokuror të Shtetit, Shqipdon Fazliu, lidhur me zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri, nuk është trajtuar ende. Derisa ka kaluar më shumë se një muaj nga dorëzimi, Gjykata akoma nuk ka marrë vendim mbi ankesën e prokurorit Fazliu.
Gjykata Supreme, ankesën e kandidatit për Kryeprokuror të ri të Shtetit, Shqipdon Fazliu, e ka pranuar më 4 nëntor. Nga Supremja, lajmin e pati konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net, Antigona Uka.
“Ju njoftojmë se në Gjykatë Supreme, me datë 4 nëntor 2022, është pranuar Kërkesa për Rishqyrtim të Jashtëzakonshëm Administrativ e ushtruar nga Sh.F., e cila, aktualisht ndodhet në punë”.
Një muaj e pesë ditë më vonë, Gjykata Supreme nuk ka marrë ende vendim lidhur me ankesën e kandidatit për Kryeprokuror, Shqipdon Fazliu, që u dërgua si kërkesë për rishqyrtim ndaj aktvendimit të Gjykatës së Apelit.
“Ju njoftoj se ende nuk është vendosur lidhur me rastin në fjalë”, tha Uka për Gazetën Online Reporteri.net.
Pretendimet e prokurorit Shqipdon Fazliu, në lidhje me procesin e përzgjedhjes së Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit, nga KPK’ja, i kishte hedhur poshtë edhe Gjykata e Apelit.
Shqipdon Fazliu bashkë me kandidatin tjetër për kryeprokuror Armend Hamitin, për të njëjtin rast ishin ankuar edhe në Gjykatë Kushtetuese, por Kushtetuesja në korrik të këtij viti e kishte shpallë të papranueshme kërkesën e tyre, pasi kishte vlerësuar se parashtruesit e kërkesave nuk i kanë shterur të gjitha mjetet juridike.
KPK-ja më 6 prill 2022 kishte votuar në mënyrë unanime Blerim Isufajn për Kryeprokuror të ri të Shtetit. Nga ajo kohë, institucioni i Kryeprokurorit të Shtetit funksionon me ushtrues detyre, pasi Presidentja e vendit ende nuk e ka dekretuar shefin e ri të Prokurorisë së Shtetit, me arsyetimin se ka kontestim në këtë proces.
Zyra e Shefes së Shtetit ka njoftuar se po pret përfundimin e të gjitha procedurave gjyqësore, para dekretimit të Kryeprokurorit të ri të Shtetit, pasardhësit të Aleksandër Lumezit.
“Presidentja ritheksoi qëndrimin e saj se do të pritet deri në përfundim të të gjitha procedurave gjyqësore në gjykatat e vendit në sistemin tonë të drejtësisë, para se Presidentja të marrë vendimin e saj për propozimin e KPK-së. Një qasje e këtillë, theksoi Presidentja, është e domosdoshme për ta ruajtur sigurinë juridike dhe për ta siguruar shfrytëzimin e papenguar dhe efektiv të mjeteve juridike nga kundërkadidatët, si dhe për ta garantuar besimin qytetar në proces pas vërejtjeve nga shoqëria civile dhe partnerët ndërkombëtarë”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Presidentes me datë 4 tetor 2022.
Aktualisht pozita e Kryeprokurorit të Shtetit ushtrohet nga Besim Kelmendi. /Reporteri.net/.