×
  • Lajme
  • Lajme / Komunikata

    Supremja refuzoi ankesën e VV-së për votat me postë, LDK: Fitore e demokracisë dhe e mërgatës sonë

    Reporteri
    26 Mars 2025 | 21:06

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Supreme, e cila ka hedhur poshtë ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje me votat me postë.

    Në një komunikatë për media, LDK-ja ka deklaruar se ky vendim vërteton ligjshmërinë dhe vlefshmërinë e votave të ardhura me postë nga mërgata në përkrahje të LDK-së.

    “Ky akt konfirmon se përpjekjet e Lëvizjes Vetëvendosje për të kontestuar votën e lirë të qytetarëve ishin të pabaza dhe politike. Tentativa për anulimin e këtyre votave përbënte një përpjekje për të përmbysur vullnetin e qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë, vetëm për shkak se ata nuk votuan sipas dëshirave të Vetëvendosjes. Kjo fushatë ishte e shoqëruar me manipulime, presion publik dhe shpifje nga anëtarët e kësaj partie. Madje, video të publikuara nga vetë aktivistët e Vetëvendosjes dëshmojnë ndërhyrjen dhe mbushjen e fletëvotimeve në mënyrë të paligjshme”, thuhet në reagimin e LDK-së.

    Ata shtojnë se Gjykata Supreme, si instanca më e lartë e drejtësisë, ka vulosur të vërtetën dhe ka riafirmuar se vullneti i qytetarëve nuk mund të kontestohet nga asnjë forcë politike që nuk e pranon rezultatin zgjedhor.

    “Ky vendim është një fitore për drejtësinë, demokracinë dhe mërgatën, e cila ka ushtruar të drejtën e saj të votës pa pengesa. LDK-ja do të vazhdojë të mbrojë çdo votë të qytetarëve tanë, brenda dhe jashtë vendit, dhe nuk do të lejojë që demokracia të cenohet nga manipulime dhe propaganda. Ky është një sukses institucional dhe moral për LDK-në, ndërsa për Vetëvendosjen, një dështim i turpshëm që e ekspozon si një forcë politike që është e gatshme të shkelë parimet demokratike për interesat e saj të ngushta”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!