×
  • Lajme
  • Lajme

    Suspendimi i përmbaruesit privat, reagon Telekomi

    Reporteri
    08 Dhjetor 2022 | 16:52

    Telekomi i Kosovës ka mirëpritur vendimin e Ministrisë së Drejtësisë për shkarkimin e përmbaruesit privat, Ilir Mullhaxha.

    Pëmres një komunikate për media, nga Telekomi thonë se presin që Mullhaxha të shkarkohet nga detyra “për shkeljet e bëra”, duke respektuar kështu inicimin e procedurës hetimore nga MD’ja, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    “Telekomi i Kosovës, si propozues i kësaj procedure, e përshëndet këtë vendim të Ministrisë së Drejtësisë, dhe njëherazi me të drejtë pret që ky përmbarues të shkarkohet nga detyra për shkeljet e bëra në çështjen përmbarimore P.nr.491/19, në të cilën procedurë palë debitore është Telekomi i Kosovës Sh.A”, bëhet e ditur në komunikatë.

    Në përkrahje të vendimit, Telekomi ka cituar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila thuhet të ketë konstatuar shkelje serioze në dëm të Telekomit, që ia kanë humbur kompanisë miliona euro nga pasuria publike.

    “Telekomi i Kosovës edhe një herë e informon publikun se tashmë Gjykata Kushtetuese e Kosovës, me aktgjykimin KI84/21, ka konstatuar shkeljet serioze në dëm të debitorit Telekomi, duke përfshirë procedurën përmbarimore dhe gjyqësore, e të cilat kanë rezultuar në dëme milionëshe kundër pasurisë publike të Telekomit të Kosovës si ndërmarrje publike.” /Reporteri.net/.

    Komunikata e plotë:

    Deklaratë për media lidhur me inicimin e procedurës disiplinore dhe për suspendimin e përmbaruesit privat Ilir Mullhaxha

    Telekomi i Kosovës Sh.A. është njoftuar me vendimin e Ministrisë së Drejtësisë Nr. 336/2022 të datës 06.12.2022, për inicimin e procedurës disiplinore dhe për suspendimin e përmbaruesit privat Ilir Mullhaxha nga ushtrimi i funksionit të përmbaruesit privat, deri në një vendim të Komisionit Disiplinor.

    Telekomi i Kosovës, si propozues i kësaj procedure, e përshëndet këtë vendim të Ministrisë së Drejtësisë, dhe njëherazi me të drejtë pret që ky përmbarues të shkarkohet nga detyra për shkeljet e bëra në çështjen përmbarimore P.nr.491/19, në të cilën procedurë palë debitore është Telekomi i Kosovës Sh.A.

    Telekomi i Kosovës edhe një herë e informon publikun se tashmë Gjykata Kushtetuese e Kosovës, me aktgjykimin KI84/21, ka konstatuar shkeljet serioze në dëm të debitorit Telekomi, duke përfshirë procedurën përmbarimore dhe gjyqësore, e të cilat kanë rezultuar në dëme milionëshe kundër pasurisë publike të Telekomit të Kosovës si ndërmarrje publike.

    Pas kthimit të rastit në rigjykim nga Gjykata Kushtetuese, në aktvendimin e Gjykatës Komerciale është vërtetuar fakti që përmbaruesi ka përfshirë në urdhër përmbarimor shuma që tejkalojnë vlerën e paraparë në Vendimin e Arbitrazhit.

    Pra, është i pakontestueshëm fakti që përmbaruesi në urdhrin përmbarimor ka përfshirë shuma prej miliona euro përtej dokumentit përmbarimor (Vendimi i Arbitrazhit).

    Andaj ky vendim i Ministrisë, edhe pse i përkohshëm, është një hap pozitiv në drejtim të vënies së ligjshmërisë në kuadër të institucioneve të cilat kanë autorizime publike. Telekomi i Kosovës ka pritje që sistemi gjyqësor dhe prokurorial do të ushtrojnë kompetencat e tyre dhe ndërmarrin hapat e nevojshëm të vendosjes së drejtësisë dhe sqarimit të plotë të dëmeve dhe zhvatjeve, të cilat i janë shkaktuar pasurisë publike të Telekomit, në kuadër të rasteve që veçse janë iniciuar.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!