×
  • Lajme
  • Lajme

    Sveçla pas publikimit të raportit të DASH-it: Si qeverisje e re nuk do t’i tolerojmë rastet e tilla të shkeljeve

    Reporteri
    31 Mars 2021 | 14:42

    Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas publikimit të raportit nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ku thuhet se shumë zyrtarë të korruptuar në sektorin publik të Kosovës.


    Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Sveçla është zotuar se si ministër dhe si qeverisje e re nuk do t’i tolerojnë rastet e tilla të shkeljeve, shkruan Reporteri.net.

    “Jemi të vetëdijshëm se kemi përpara shumë sfida, të cilat dhe ky raport i thekson, përfshirë korrupsionin e zyrtarëve qeveritarë e mosndëshkimin e tyre, kufizimet e tepruara ndaj mediave, dhunën ose kërcënimet ndaj gazetarëve. Po ashtu mungesa e integritetit dhe ndëshkimit dhe në institucionet e sigurisë, përfshirë dhe rastet e keqtrajtimit të të paraburgosurve nga Policia janë problematika me të cilat institucionet përkatëse përballen. Pavarësisht numrit të këtyre fenomeneve, këto veprime dëmtojnë punën e mirë të shumë zyrtarëve policorë që kryejnë detyrën me shumë integritet e profesionalizëm. Si ministër e si qeverisje e re nuk do t’i tolerojmë rastet e tilla të shkeljeve.”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

    Ai shprehet i bindur se në bashkëpunim me partnerët, sfidat e identifikuara do të përkthehen në veprime konkrete në mënyrë që ato të tejkalohen.

    Kujtojmë se në një raport për të drejtat e njeriut në botë në vitin 2020, Departamenti amerikan i Shtetit tha se në Kosovë, disa nga problemet më të rëndësishme në këtë aspekt përfshinin kufizimet e padrejta ndaj shtypit, ku hynin dhuna ose kërcënimet për dhunë ndaj gazetarëve; korrupsioni dhe mosndëshkimi në qeveri; sulmet kundër anëtarëve të komuniteteve joshumicë ose bashkësive të tjera.

    Ky është postimi i plotë i Sveçlës:

    Me vëmendje lexova Raportin e publikuar sot për të drejtat e njeriut në botë në vitin 2020, publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Jemi të vetëdijshëm se kemi përpara shumë sfida, të cilat dhe ky raport i thekson, përfshirë korrupsionin e zyrtarëve qeveritarë e mosndëshkimin e tyre, kufizimet e tepruara ndaj mediave, dhunën ose kërcënimet ndaj gazetarëve. Po ashtu mungesa e integritetit dhe ndëshkimit dhe në institucionet e sigurisë, përfshirë dhe rastet e keqtrajtimit të të paraburgosurve nga Policia janë problematika me të cilat institucionet përkatëse përballen. Pavarësisht numrit të këtyre fenomeneve, këto veprime dëmtojnë punën e mirë të shumë zyrtarëve policorë që kryejnë detyrën me shumë integritet e profesionalizëm. Si ministër e si qeverisje e re nuk do t’i tolerojmë rastet e tilla të shkeljeve.

    Jam thellësisht i bindur se në bashkëpunim me partnerët tanë, sfidat e identifikuara do t’i përkthejmë në veprime konkrete në mënyrë që t’i tejkalojmë ato. Si parim udhëheqës do të kem mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, duke u bazuar në vlera të përbashkëta si dinjiteti, drejtësia, barazia, respekti dhe pavarësia.

    Falënderim i veçantë për të gjithë ata që kanë punuar në këtë raport e veçanërisht Departamentit Amerikan të Shtetit. Mbrojtësit e këtyre vlerave siç janë të drejtat e njeriut janë një vlerë e shtuar dhe mekanizma të domosdoshëm në përmirësimin e punës sonë, për të mbështetur paqen dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

    /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!