×
  • Lajme
  • Lajme

    Takimet e Haxhiut me krerët e institucioneve të drejtësisë: Vettingu, lufta kundër korrupsionit e krimit, prioritet i Qeverisë

    Reporteri
    07 Prill 2021 | 9:54

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dje ka bërë të ditur se kanë proceduar në Qeveri koncept dokumentin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme i cili i hap rrugë hartimit të projektligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.


    Ajo përmes një postimi në Facebook thotë se lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit është prioritet i Qeverisë, shkruan Reporteri.net.

    Pas këtij njoftimi, ministrja Haxhiu takoi dje krerët e institucioneve të drejtësisë, kryeprokurorin Aleksandër Lumezi, drejtorin e Antikorrupsionit, Shaip Havolli, dhe kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku.

    Ministrja Haxhiu e informoi Kryeprokurorin e Shtetit me prioritet e Ministrisë së Drejtësisë dhe qeverisë së re në përmirësimin e infrastrukturës ligjore në funksion të forcimit të sundimit të ligjit, si dhe shprehu gatishmërinë e saj për të mbështetur Prokurorin e Shtetit në adresimin e çështjeve institucionale, veçmas në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe resurseve tjera të nevojshme.

    Lumezi e Haxhiu kanë shprehur gatishmërinë e ndërsjellë për avancimin e bashkëpunimit ndër-institucional, me qëllim të forcimit të luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit si dhe konsolidimit të institucioneve të drejtësisë dhe rritjes së besimit qytetarë në to, shkruan Reporteri.net.

    Ministrja Haxhiu më pas takoi Kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku me ç’rast u njoftua me sfidat dhe arritjet e KPK-së e në veçanti edhe për nevojën e ndryshimit të Ligjit për përgjegjësitë disiplinore të prokurorëve dhe gjyqtarëve që i hap rrugëm zbatimit të duhur të tij.

    Haxhiu, në këtë takim qartësoi prioritetet e saj, duke filluar me vendosmërinë në luftimin dhe ndëshkimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, adresimin e krimeve të luftës dhe rasteve të dhunës në familje. Lidhur me këtë u diskutua edhe për rëndësinë e vettingut në sistemin e drejtësisë, rishikimin funksional- adresimin e çështjeve mospajtuese që kanë të bëjnë me të.

    Më pas ministrja Haxhiu takoi drejtorin e Agjencisë Kundër Korrupsion, Shaip Havolli me të cilin diskutoi për nismat ligjore lidhur me fushat brenda mandatit të AKK-së si dhe nevojën për bashkëpunim dhe adresim të çështjeve kontestuese.

    Përveç çështjeve që kanë të bëjnë më vështirësitë e zbatimit të legjislacionit brenda kompetencave të Agjencisë Kundër Korrupsion, në takim gjithashtu u diskutua për hartimin dhe kompletimin e strategjisë kundër korrupsionit, për nismat ligjore që kanë të bëjnë me mandatin dhe fushën e Agjencisë Kundër Korrupsion, për rregullativen ligjore për sinjalizuesit si dhe tema të tjera në interesin e përbashkët të të dyja institucioneve. Në takim gjithashtu u diskutua për evitimin e konflikteve eventuale me ligje të tjera.

    /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!