×
  • Lajme
  • Lajme

    Takimi gati 6 orësh përfundoi pa marrëveshje, çka u tha brenda e jashtë sallës ku u takuan Kurti e Vuçiq

    Reporteri
    18 Gusht 2022 | 22:23

    Pa ndonjë marrëveshje ka përfunduar takimi i gjatë mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Ky është takimi i tretë që zhvillohet mes Kurtit e Vuçiqit. Gazeta Online Reporteri.net, ju sjell një përmbledhje të krejt asaj që u tha në takim dhe pas përfundimit të takimit.

    Një takim gati 6 orësh është mbajtur sot në Bruksel mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

    Takimi u ndërmjetësua nga Shefi i Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe i dërguari i BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, derisa për të dhënë mbështetje për këtë takim në Bruksel ka shkuar edhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    Por, edhe pse takimi zgjati kaq shumë, nuk u arrit ndonjë marrëveshje.

    Ishte Kryediplomati Josep Borell, ai i cili në konferencën për media pas bisedimeve disa orëshe me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq, tha se s’kanë arritur marrëveshje lidhur me vendimin për targat dhe dokumentet e udhëtimit.

    Borell tha se dy liderët u pajtuan që të vazhdojnë diskutimin dhe të rikthehen për bisedime para 1 shtatorit.

    “Ne pamë rritje tensionesh për vendimin e targave dhe dokumenteve, komuniteti ndërkomëbtar s’do të shohë eskalim të situatës dhe palët do të jenë përgjegjëse për të. Ne nuk arritëm marrëveshje sot, por s’është fundi i tregimit, dy liderët u pajtuan se procesi duhet të vazhdojë dhe diskutimi do të rikthehet në ditët e ardhshme dhe ka kohë deri më 1 shtator. Nuk dorëzohemi”, tha ai.

    Shefi i Politikës së Jashtme të BE’së u shpreh se dy liderëve ua ka kujtuar se takimi i thirrur sot s’është i rregullt, por është takim në kohë krize.

    “Nuk ishte takim normal, nuk ishte i rregullt, bashkë me Emisarin Lajcak, të cilin dua ta falënderoj për punën e mirë. Këtë takim e thirrëm sepse u ballafaquam me ngritje tensionesh në veri. U thashë dy liderëve ky ishte një takim në kohë krize dhe qëllimi ishte të qetësojmë situatën në terren”, tha Borrell.

    Ai tha poashtu se Kurti dhe Vuçiq do ta kenë përgjegjësinë për çdo eskalim situate në veri.

    “Mund të themi se ky takim ishte për përgjegjësinë e dy liderëve për të gjetur zgjidhje në mirëbesim për siguruar paqen dhe stabilitetin në veriun e Kosovës. Kjo ndodhi në kohën kritike të Evropës, me rikthimin e luftës në kontinentin tonë në Ukrainë dhe ky s’është moment për të ngritur tensione por për të gjetur zgjidhje”, tha Borell para gazetarëve.

    Kryeministri Albin Kurti s’është deklaruar ende, por Qeveria e Kosovës ka lëshuar një komunikatë, ku ka treguar se çfarë ka thënë Kurti në takim.

    Sipas Qeverisë, në takim është diskutuar edhe për marrëveshjen finale. Kurti thuhet se ka prezantuar elementet që duhet t’i përmbajë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    “Sot kishte dy tema në agjendë. E para ishte diskutimi për Kornizën e Përgjithshme të Marrëveshjes. Kryeministri Kurti theksoi që kjo marrëveshje duhet të jetë ligjërisht e obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër. Ai prezantoi disa kapituj me elemente përkatëse që duhet t’i përmbajë kjo kornizë. Tema e dytë ishin çështjet aktuale politike e të sigurisë për të cilat Kryeministri Kurti tregoi për rëndësinë e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vendin tonë si garancione të paqes, sigurisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhet në komunikatë.

    Ndërkohë, Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, u është drejtuar qytetarëve serbë me një video-mesazh nga Brukseli.

    Vuçiq tha se bisedimet e sotshme nuk ishin gjithaqë të suksesshme derisa shprehu se ndoshta, nga një mrekulli, mund të arrihet kompromis me palën kosovare, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.

    “Të dashur qytetarë të Serbisë, një ditë e vështirë lamë pas nesh. Ishte një ditë e vështirë për të gjithë qytetarët dhe për mbarë vendin. Nuk mund të them se ka përfunduar me sukses, por përmbahem nga çdo koment tjetër sepse shpresoj dhe dua të besoj se është e mundur që me ndonjë mrekulli të arrijmë një zgjidhje kompromisi në ditët në vijim. Do t’ju njoftoj me të gjitha faktet gjatë 48 orëve të ardhshme. Ne po luftojmë për vendin tonë. Mezi pres të kthehem në Serbinë tonë”, tha Vuçiq.

    Takimi i sotëm në Bruksel erdhi si rrjedhojë e tensioneve në Veri të Kosovës pas vendimit të qeverisë kosovare për të iniciuar dy masa të reja reciproke me Serbinë.

    Qeveria e Kosovës vendosi të nis reciprocitet rreth dokumentave hyrëse/dalëse për shtetasin serbë që duan të hyjnë në Kosovë, si dhe ndalimin e targave të paligjshme që MPB-ja serbe lëshon për veturat e serbëve në Kosovë.

    Qeveria ka kërkuar që të gjithë t’i kthejnë targat e tyre ilegale “KM, etj” t’i kthejnë në RKS të Republikës së Kosovës.

    Beogradi politik, vendime të tilla i ka quajtur si tentim “për t’i dëbuar serbët nga Kosova” si dhe instrumentalizuar rezistencë lokale në Veri të Kosovës kundër vendimeve të qeverisë kosovare

    Ndryshe, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit i ka konfirmuar të mërkurën Gazetës Online Reporteri.net se Përfaqësuesi i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka udhëtuar në Bruksel “për ta mbështetur takimin e nivelit të lartë të 18 gushtit të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE”. /Reporteri.net/

    DASh konfirmon për Gazetën Reporteri: Gabriel Escobar ka udhëtuar për në Bruksel “për ta mbështetur” takimin Kurti-Vuçiq

    Borrell s’ka shumë për të thënë, përveç se “palët do të jenë përgjegjëse për çfarëdo përshkallëzimi”

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!