×
  • Lajme
  • Lajme

    Takimi me Escobarin, Qeveria lëshon komunikatë: Po nisemi drejt Ohrit me vullnet dhe qëllime të mira

    Reporteri
    17 Mars 2023 | 14:46

    Qeveria e Kosovës ka dhënë detaje për takimin që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pasur me Zëvendës ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, një ditë para takimit në Ohër.

    Në komunikatë bëhet e ditur se në takim u diskutua  për takimin e nesërm në Ohër të Maqedonisë së Veriut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë bazuar në propozimin Evropian, përgatitjet rreth tij dhe pritjet nga ai takim.

    “Pas takimeve të shumta në Strasburg me udhëheqës dhe deputetë të Parlamentit Evropian, ku u vlerësua lartë progresi demokratik i Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, një ditë para takimit të radhës të nivelit të lartë politik në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, priti në Prishtinë Zëvendës ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Bashkë me z. Escobar dhe ekipin e tij në takim ishte edhe zëvendësambasadorja e ShBA-ve në Kosovë, Alyson Grunder.

    U diskutua për takimin e nesërm në Ohër të Maqedonisë së Veriut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë bazuar në propozimin Evropian, përgatitjet rreth tij dhe pritjet nga ai takim”, thuhet në komunikatë.

    Tutje, thuhet se Propozimi Evropian është cilësuar dhe pranuar nga Kosova si bazë e mirë dhe platformë solide për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër.

    “Të përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ, delegacioni qeveritar i Kosovës udhëton për në Ohër me vullnet të mirë, qëllime të mira dhe besim të mirë”, përfundon komunikata./Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!