×
  • Lajme
  • Lajme

    Taksa “pasuron” bizneset, “varfëron” qytetarët

    Reporteri
    21 Qershor 2019 | 12:27

    Janë bërë shtatë muaj, qysh nga vendosja e taksës 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.


    Që nga vendosja e taksës 100 për qind, produktet bazike në treg siç janë qumështi, djathi, vezët, sheqeri, etj., janë rritur për rreth 3 për qind më shumë krahasuar me vitin e kaluar, dhe kjo ka ndikuar që të varfërohet shporta e konsumatorit.

    Ndërkohë, nga taksa kanë përfituar kompanitë dhe bizneset kosovare.

    Olivera Ceni Bardiqi, drejtoreshë, Departamentit për Analiza Ekonomike dhe Politika ka thënë për lajmi.net ka se taksa në mesatare rritja më e lartë e kostos së lëndës së parë është shënuar deri në 10 për qind.

    “Vendosja e taksës është shoqëruar edhe me rritje të kostos së lëndës së parë për prodhimet kosovare, për rreth 53% të kompanive pjesëmarrëse në studim, si rezultat i së cilës është influencuar edhe rritja e çmimeve të disa produkteve. Në mesatare rritja më e lartë (40%) e kostos së lëndës së parë është shënuar deri në 10%. Taksa ka pasur ndikim po ashtu në rritje e kostos së transportit (58%)”, ka thënë Bardiqi.

    Ajo ka theksuar se 46% e kompanive kanë deklaruar që janë rritur çmimet e produkteve, kryesisht për shkak të rritjes së kostos së transportit, lëndës së parë dhe ndryshimit të partnereve tregtare.

    Sipas saj, sektorët më të ndikuar janë sektorët e tregtisë me pakicë, tregti me shumicë dhe sektori i ndërtimeve.

    Tutje, Bardiqi ka thënë se bizneset kanë deklaruar që efektet e taksës ishin më shumë pozitive.

    “Referuar analizave të brendshme të OEK-ut, përmes anketimeve me kompanitë kosovare (278 kompani), efektet e taksës sipas bizneseve ishin pozitive për 49% të tyre, patën efekte negative 16% te kompanive dhe nuk kishte ndikim për 35% të kompanive pjesëmarrëse në hulumtim. Shikuar në aspektin sektorial, efekt pozitiv ka pasur te sektori prodhues, ndërsa efektet negative janë manifestuar tek sektori i tregtisë në vend”.

    Sa i takon shitjes së prodhimeve vendore pas vendosjes së taksës, rritje të shitjeve për 40 për qind kanë pasur rreth 16 për qind e ndërmarrjeve pjesëmarrëse në studim.

    “Për 67% të kompanive pjesëmarrëse në studim janë rritur shitjet e prodhimeve tona mbas vendosjes së taksës. Rritje të shitjeve deri në 10% kanë pasur rreth 27% e kompanive, ndërsa rritje të shitjeve për 40% kanë pasur rreth 16% e ndërmarrjeve pjesëmarrëse në studim. Tutje, për rreth 53% të kompanive është rritur prodhimi. Taksa ka ndikuar po ashtu në rritje të lehtë të punësimit në sektorin prodhues. Si rezultat i rritjes së vëllimit të prodhimit, dhe për shkak të rritjes së kërkesës për produkte, është raportuar të ketë pasur investime edhe në kapacitetin prodhues dhe rritjen e cilësisë së produkteve tona”, ka thënë Bardiqi.

    Pronari i “Elkos Group”, Ramiz Kelmendi mendon se taksa ende nuk ka mundur të ndikojë në rritjen e cilësisë së prodhimit.

    Kjo, siç ka deklaruar ai, mund të realizohet pas dy apo tri viteve.

    “Taksa nuk ka mundur të kontribuoj ende në listën e cilësisë ndoshta ka kontribuar në listën e kapaciteteve të kufizuara ekzistuese që ka qenë ,pra nëse s’kanë qenë kapacitetet e kaluara të shfrytëzuara tash janë duke u shfrytëzua, por nuk kanë arrit me i zëvendësu. Ndërtimi i kapaciteteve prodhuese nuk shkon në kohë të shkurt disa mujore i duhen dy tri vjet, apo ma shumë për me arrit nivelin dhe efektin e taksës”, ka thënë Kelmendi për lajmi.net.

    Ai ka shtuar se shitja e prodhimeve vendore është rrit, pasi në këtë ka ndikuar edhe vetëdijesimi i qytetarëve.

    Ndërsa, sa i përket rritjes së çmimeve, Kelmendi ka thënë se ka pas lëvizje, por jo të mëdha.

    Vlen të theksohet se rritje të madhe të çmimit ka pësuar mishi i viçit, nga 7.27 euro, ai është ngritur në 7.74 euro. Rreth 33 centë më shumë kanë paguar qytetarët në janar të këtij viti për 30 copë vezë, krahasuar me janarin e vitit të kaluar. Rritje prej 5-10 centë ka pasur edhe tek artikujt ushqimorë, si kafeja, çaji cigaret, drutë e zjarrit dhe nafta e benzina.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!