×
  • Lajme
  • Lajme

    Targat e marrëveshja finale, Besnik Bislimi tregon se çka foli sot në konferencën në Beograd

    Reporteri
    28 Tetor 2022 | 22:31

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë në ‘Konferencën e Sigurisë’ që po mbahet në Beograd përmes një lidhjeje direkte pasi që që një ditë më parë iu ndalua hyrja në Beograd për “shkaqe sigurie”.

    Bislimi, përmes një shkrimi në Facebook ka treguar se çka ka folur në këtë konferencë, duke filluar nga procesi i dialogut, çështjen e targave e deri tek marrëveshja finale me Serbinë, ku në thelb tha se duhet të jetë njohja reciproke.

    Ai tha se arsyeja pse afati i fundit për targat është vendosur më 21 prill 2023 nuk është i rastësishëm, duke shtuar se është e njëjta me afatin e fundit për të arritur një marrëveshje të përhershme, sipas standarteve dhe praktikave të BE, e cila thotë se dështoi për shkak të mungesës së pozicionimit nga pala serbe.

    Mes tjerash, Bislimi foli edhe për çështjen e targave, ku tha se kërkesa për shtyrje të afatit rrjedh nga fushatat dezinformuese të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq që i paraqiti para qytetarëve.

    Deklarata e plotë e Bislimit:

    Pamundësia për të qenë prezent fizikisht në konferencën e organizuar në Beograd, nuk e zvogëloi dëshirën për të qenë pjesë e panelit të diskutimit mbi dialogun me Serbinë. Me diplomat e personalitete të shquara, si dhe njohës të politikës së jashtme, folëm mbi dinamikat e këtij procesi.

    Që në fillim të Qeverisë Kurti II, objektivi dhe qëllimi ynë në procesin e dialogut, ka qenë të flitej për marrëveshjen finale, për të cilën kemi përgatitur dhe propozimin me gjashtë elemente se si ky normalizim githëpërfshirës do të dukej. Atë, e kemi dorëzuar tek z. Lajcak jo vetëm kur u diskutua publikisht në takimet e 18 gushtit, por edhe gjatë çerekut të fundit të vitit 2021. Gjatë këtij procesi, ka patur çështje të cilat ishin të bartura dhe nuk mund të shmangeshin, si çështja e energjisë dhe ajo e targave.

    Ka patur interesim të fuqishëm për t’i bërë ato të rëndësishme duke i lidhur me tensione dhe çështje të tjera, ndërkohë që duhej të ishin vetëm teknikalitete. Problemi më i madh në procesin e dialogut, është divergjenca mes pozicioneve të dy palëve, ku për Kosovën është e rëndësishme që të kemi një dokument final dhe të qendërzuar me njohjen reciproke, e për Serbinë është e kundërta.

    Sa i përket çështjes së targave, kërkesa për shtyrje të afatit, rrjedh nga fushatat e mëdha të dezinformimit që Vucic i paraqiti qytetarëve, shqetësimeve kundrejt kërcënimeve të strukturave paralele ndaj qytetarëve në veri dhe gatishmërisë së shfaqur të Vucic që të krijojë tensione rreth një çështjeje bazike. Nuk ka patur mangësi të kapaciteteve nga ana jonë, që të përmbushim kërkesat që burojnë nga procesi. Vucic ka folur dhe për dorëzim, por ky është një koncept që kriminelët e përdorin kur flasin me institucionet e qeverisë dhe ne nuk duam t’i shohim qytetarët në atë pozitë.

    Ne na është thënë, dhe kemi qenë të gatshëm të bashkëpunojmë në gjetjen e një mekanizmi përmes të cilit e bëjmë tranzicionin e lehtë, në mënyrë që gatishmëria e qytetarëve në pajtim me sundimin e ligjit të rritet. Fola dhe mbi masat e fundit rreth çështjes së targave, duke shpjeguar fazat kalimtare dhe thënë se ne shpresojmë që ky proces do të finalizohet pa incidente deri me 21 prill, datë e cila rastësisht është e njëjta me afatin e fundit për të arritur një marrëveshje të përhershme, sipas standarteve dhe praktikave të BE, e cila dështoi për shkak të mungesës së pozicionimit nga pala serbe.

    Në përmbyllje të konferencës, tregova për sukseset dhe të arriturat e Qeverisë dhe përkushtimit tonë të vazhdueshëm në përfundimin e procesit të dialogut. Falenderoj organizatorët e konferencës në angazhimin dhe punën e tyre, për realizimin e këtij eventi të frytshëm.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!