×
  • Lajme
  • Lajme

    Të hënën mblidhen kryediplomatët e BE-së, diskutohet edhe për dialogun Kosovë-Serbi

    Reporteri
    12 Nëntor 2022 | 13:39

    Të hënën më 14 nëntor do të mblidhen Ministrat e punëve të jashtme të BE-së.

    Në uebbfaqen e Këshillit të BE-së bëhet e ditur se takimi, i kryesuar nga Përfaqësuesi i Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, do të zhvillojë shkëmbime ndër të tjera edhe mbi zhvillimet në Ballkanit Perëndimor.

    Zhvillimet në veri, çështja e targave, ishin temë kryesore diskutimi në takimet ndaras të kryeministrit Albin Kurti e presidentit Aleksandar Vuçiq me Përfaqësuesin e Lartë të BE’së, Josep Borrell si dhe emisarin e BE’së në dialog, Miroslav Lajçak, në Forumin për Paqe në Paris, gjatë ditës së djeshme.

    BE’ja, përmes një komunikate, ka thënë se serbët e Kosovës duhet rikthyer sa më parë në institucionet e Kosovës si dhe Kosova të angazhohet në nisjen e negociatave për themelimin e Asociacionit e të veprojë karshi marrëveshjeve të kaluara të Dialogut për targat.

    Borrell ka deklaruar se Kosova e Serbia duhet fokusuar në negociata kuptimplote që synojnë normalizimin e marrëdhënieve mes dy palëve, e që i hap rrugë anëtarësimit të tyre në BE.

    Për këto takime është deklaruar edhe kryeministri Kurti.

    “Nuk mund ta pranoj asociacionin mbi bazat e identitetit etnik”, ka ripërsëritur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kur është pyetur nëse është i gatshëm ta pranojë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    I pari i Qeverisë deklaroi se nuk është kundër Asociacionit të komunave, pasi tha se Kosova aktualisht e ka një të tillë, mirëpo se e kundërshton asociacionin mbi baza etnike.

    Megjithatë, ai ka propozuar që kërkesën e tij për t’i përfaqësuar të drejtat e pakicave, Presidenti Vuçiq ta adresojë përmes planit franko-gjerman.

    “Ka një mundësi për bashkëpunim ndërkomunal, por jo për asociacion mbi baza etnike. Unë nuk e kundërshtoj Asociacionin e komunave. Aktualisht, Kosova ka një asociacion komunash, 38 në total. Por unë nuk mund ta pranoj asociacionin mbi bazat e identitetit etnik. Politika mbi bazat etnike nuk është e mundshme. Pra s’mund të krijohet një asociacion mbi baza etnike, sepse kjo bie në kundërshtim me Kushtetutën tonë. Ky fakt është gjithashtu i konfirmuar nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese tonës në dhjetor 2016″, deklaroi ndër të tjera kryeministri Kurti, në një intervistë për Deutsche Welle.

    Tutje, për t’i evituar tensionet në Veri, e për të gjetur zgjidhje të mosmarrëveshjeve me Serbinë, Kurti ka theksuar se është i gatshëm për takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, por se kjo varet nga ndërmjetësit e BE’së.

    Se nuk do heq dorë nga vendimi për targat, Kurti e bëri të qartë edhe njëherë, duke thënë se sundimi i ligjit është detyrë e tij si Kryeministrër i Kosovës.

    Kurti thirrje serbëve: Mos i braktisni institucionet, ju duhet të punoni bashkë me ne

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!