×
  • Lajme
  • Lajme

    Të moshuarit presin, të rinjtë marrin vaksinën kundër COVID-19 në Kosovë, MSH hesht

    Reporteri
    14 Qershor 2021 | 18:36

    Derisa shumë qytetarë mbi 65-vjeç po presin, derisa të ftohen për tu vaksinuar kundër COVID-19, persona edhe me të rinj se 40 vjeç, e pa ndonjë sëmundje kronike, po arrijnë ta marrin vaksinën.


    Këtë e kanë konfirmuar edhe vetë ata që janë vaksinuar, ndonëse nga Ministria e Shëndetësisë kanë heshtur në këtë drejtim, raporton Express.

    Moderatori Alaudin Hamiti sot është vaksinuar kundër COVID-19 në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.

    Edhe pse 40 vjeçar, ai ka arritur ta marrë vaksinën.

    Hamiti ka thënë për Express se ai ka aplikuar që më shumë se një muaj online për tu vaksinuar, derisa tek të shtunën thotë se është njoftuar përmes telefonit se është ftuar për ta marrë vaksinën.

    Ai është shprehur se gjithçka ka shkuar me procedurë të rregullt.

    “Unë kam aplikuar që më shumë se 1 muaj e gjysmë në webfaqen E-Kosova dhe më kanë telefonuar pardje. Pastaj ma kanë shtyrë terminin për sot në mëngjes. Gjithçka ka shkuar me procedurë të rregullt. Vaksina Pfizer më duket se ka qenë”, ka deklaruar ai.

    Përndryshe, Hamiti ka theksuar se ka pasur edhe persona tjerë në moshën e tij që kanë aplikuar dhe janë vaksinuar.

    Mirëpo, koordinatori i Qendrës së Vaksinimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, Niman Bardhi, e ka mohuar se në rrallë është vaksinimi i personave më të rinj në moshë se 65 vjeç, përveç personelit shëndetësorë e personave me sëmundje kronike.

    Megjithatë, ai ka thënë se ata vaksinojnë të gjithë personat të cilat janë të përfshirë në listat që u dorëzohen atyre.

    “Ne respektojmë listën që na vie e gatshme për t’u zbatuar në sallën ‘1 Tetori’ dhe vendet tjera. Vaksinimi i referohet kategorisë së personelit shëndetësorë dhe kemi edhe të rinj në moshë, qoftë të sektorit publik apo privat që janë të licencuar. Edhe aplikuesit tjerë me sëmundje kronike vaksinohen. Por të gjithë qytetarëve që kanë publikuar në E-Kosova dhe janë bërë terminet e tyre nga qendra operative, normalisht që në bazën e thirrjes telefonike që ju bëhet, ne e respektojmë atë dhe e zbatojmë”, ka deklaruar Bardhi.

    Ndërsa, edhe epidemiologia e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Edita Goranci-Haxhija, ka thënë për Express se janë duke u vaksinuar personat mbi 65 vjeç, ndonëse është shprehur se duhet t’i drejtohemi Ministrisë së Shëndetësisë, në lidhje me vaksinimin e personave më të rinj se 65 vjeç.

    Mirëpo, nga Ministria e Shëndetësisë nuk janë përgjigjur në pyetjet e dërguara.

    Derisa qytetarë më të rinj në moshë, e pa sëmundje kronike po arrijnë të vaksinohen, Plani Shtetëror i Vaksinimit kundër COVID-19 e tregon qartë se në fazën e dytë të vaksinimit grupi i synuar për të vaksinuar përbën 17% të popullsisë së përgjithshme dhe do t’i perfshijë grupmoshat 65-79, popullësinë e mbetur me sëmundje kronike, mësimdhënësit dhe forcat e sigurisë të përfshira në menaxhimin e pandemisë COVID-19.

    Ndërsa, faza e 3’të parasheh vaksinimin e 50 për qind të popullsisë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!