×
  • Lajme
  • Lajme

    Tensionet dhe zgjedhjet në Veri, Presidentja pritet të mbajë sot takim me krerët e partive

    Reporteri
    10 Dhjetor 2022 | 7:01

    Pas incidenteve të fundit në veri dhe kërkesave për shtyrjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, Presidentja Vjosa Osmani i ka ftuar për takim krerët e partive politike parlamentare, mëson Gazeta Online Reporteri.net.

    Takimi i Osmanin me krerët e partive pritet të mbahet sot, në orën 14:30.

    Në këtë takim do të diskutohet situata e sigurisë në veri dhe pengesat që janë paraqitur për të garantuar një proces të sigurt zgjedhor në katër komunat veriore.

    Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur dje mbledhje të jashtëzakonshme.

    Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Partia Demokratike e Kosovës, Arianit Elshani, ka deklaruar se KQZ nuk e rekomandon shtyrjen e afatit.

    “KQZ nuk rekomandon shtyrjen e zgjedhjeve”, tha Elshani për Gazetën Online Reporteri.net.

    Dilema e mbajtjes ose jo të zgjedhjeve u jetësua me rritjen e konflikteve në Veri, ku sipas Policisë, individë të caktuar e banda kriminale po vazhdojnë me sulme të njëpasnjëshme.

    Nga Presidenca kanë kërkuar që para se të merret vendim për (mos)shtyrje, të pranohet një raport nga institucionet e sigurisë së Kosovës.

    Bekim Kupina, këshilltar i Presidentes në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net ka thënë se Presidenca mund të vihet në veprim vetëm pas një vlerësimi të tillë nga institucionet kompetente të sigurisë dhe pranimit të kërkesës për shtyrjen e zgjedhjeve nga KQZ-ja.

    “Vlerësimi për shtyrjen e datës së zgjedhjeve i takon institucioneve të Republikës së Kosovës në bazë të kritereve specifike. Sipas praktikës së deritanishme, Presidenca mund të vihet në veprim vetëm pas vlerësimit të tillë nga institucionet kompetente të sigurisë dhe pranimit të kërkesës për shtyrjen e zgjedhjeve nga KQZ-ja.

    Presidenca është në kontakt të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe nëse vjen një kërkesë për shtyrjen e zgjedhjeve, sipas praktikave të Komisionit të Venedikut, Presidentja Osmani do t`i ftoj subjektet politike për konsultime dhe më pas do ta marrë vendimin”, ka thënë Kupina për Reporteri.net.

    Ndryshe, ndërkombëtarët kanë kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri.

    Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet tha se Shtetet e Bashkuara mendojnë se “nuk është koha e duhur për zgjedhje duke pasur parasysh ndjeshmërinë e momentit dhe kemi parë dhunë në 24 orët e fundit”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!