×
  • Lajme
  • Lajme

    Tensionet në veri, gaz lotsjellës dhe të shtëna në Zveçan – digjet një veturë e Policisë së Kosovës

    Reporteri
    26 Maj 2023 | 14:20

    Policia e Kosovës përdori gaz lotsjellës dhe shok-bomba për t’i shpërndarë qytetarët e tubuar para objektit komunal në Zveçan – komunë e banuar me shumicë serbe në pjesën veriore të vendit, raporton REL

    Paraprakisht, policia njoftoi se po asistonte kryetarët e rinj të komunave veriore: Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të hyrë në objektet zyrtare të komunave përkatëse.

    Udhëheqësit e këtyre komunave me shumicë serbe – që të gjithë shqiptarë – u betuan një ditë më herët në ndërtesa publike, si shkollat, për shkaqe të sigurisë.

     

    Ndonëse thanë se, së shpejti, do të nisin punën nga objektet komunale, nuk ishte e qartë se kur do të ndërmerrej një hap i tillë.

    Në të katër komunat me shumicë serbe në veri u dëgjuan fillimisht sirena alarmi, ndërkohë që para objekteve komunale në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq u mblodhën edhe qytetarë.

    Pamjet e hedhjes së gazit lotsjellës, në Twitter disa propagandues serbë i kanë përdorur për ta ekzagjeruar situatën dhe për ta paraqitur si gjendje “lufte” atje, duke i fajësuar institucionet e Kosovës “për dhunë”, shkruan gazeta online Reporteri.net.

     

    Nga ana tjetër, Radio Evropa e Lirë raporton se edhe disa kamionë janë të parkuar në mes të rrugëve në hyrje dhe dalje të Leposaviqit.

    Nga ana tjetër, një veture të Policisë së Kosovës i është vënë flaka në veri, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Për këtë ka reaguar edhe Presidenca e Kosovës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!