×
  • Lajme
  • Lajme

    Tetë orë debat parlamentar, si u trajtua kriza e veriut në Kuvendin e Kosovës

    Reporteri
    02 Qershor 2023 | 22:27

    Në një seancë të jashtëzakonshme që zgjati tetë orë, deputetët e Kuvendit të Kosovës bashkë me kryeministrin Albin Kurti dhe ministrat e Qeverisë diskutuan për çështjen aktuale më kritike në vend, kriza në komunat veriore. Edhe në këtë seancë, përballjet nuk munguan, dhe në qendër të vëmendjes ishin thirrjet e opozitarëve për koordinim me aleatët dhe tejkalimi urgjent i situatës.

    Ndonëse u vonuan për nisje të seancës, deputetët e kuvendit u mblodhën bashkë për t’i trajtuar me urgjencë tensionet në veri, seancë kjo që u thirr nga dy partitë opozitare, LDK dhe PDK, pasuar kërkesat e ndërkombëtarëve për shtensionim të tensioneve, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Seanca nisi me adresimin e kryeministrit Albin Kurti, i cili një pjesë të fajit për situatën në veri e vendosi te mungesa e një deklarate nga ndërkombëtarët që të mos pengohet procesi i punës së kryetarëve në veri.

    Kurti tha se kjo deklarata e munguar, siç tha ai e shoqëruar me “shqetësime të tepruara” nuk i ka ndihmuar situatës.

    Kryeministri u shpreh se kjo kronologji e ngjarjeve tregon gjithashtu që ka pasur jo vetëm konsultim, por edhe bashkërendim me partnerët ndërkombëtarë. Siç thotë ai, nuk ka pasur asnjë befasi në këtë proces.

    “Kemi datën 29 maj, ditën e hënë të kësaj jave ku një pjesë e mirë e bandave kriminale u kthyen të organizuar për ta eskaluar situatën. Kemi pamje të mjaftueshme që dëshmojnë se eskalimi i situatës më 29 maj, ishe i organizuar i mire planifikuar dhe kishte autor. Autor është Beogradi. E kundërta duhej të ndodhte. Ajo që mungonte më 25 maj e që po mungon ende është deklarata se në përputhje me procesin të mos pengohet puna e kryetarëve të rinj  deri në zgjedhje të reja po mungon. Deklarata e munguar e shoqëruar me shqetësime të tepruara nuk i ka ndihmuar situates”, deklaroi shefi i ekzekutivit.

    Kurti po ashtu tha se Qeveria e tij beson në miqësinë e përhershme me SHBA-të, por shtoi se qasja ndaj Kosovës dhe Serbisë nuk mund të jetë e njëjtë.

    “Por qasja ndaj Kosovës dhe Serbisë nuk mund të jetë e njëjtë, Serbia është vend autokratik, nuk është vend demokratik”, u shpreh Kurti.

    Liderët opozitarë, Memli Krasniqi i PDK-së dhe Lumir Abdixhiku i LDK-së iu kundërvunë kryeministrit Kurti, i pari i shqetësuar me imazhin e Kosovës, dhe i dyti për marrëdhëniet me aleatët.

    Krasniqi tha se Kurti shkatërroi imazhin e Kosovës, duke e paraqitur vendin tonë si vatër e luftës.

    “E shkatërrove imazhin e Kosovës. Në krejt mediat ndërkombëtare po dalim si vatër e luftës pas 20 vjetëve, njerëzit kanë nisur të reduktojnë vizitat në Kosovë, zyrtarë e turista prej vendeve të BE-së,  e reduktove sovranitetin e Kosovës në tri ndërtesa”, tha Krasniqi.

    Ai sfidoiKurtin duke i thënë që në vend se të flasë nga Prishtina, të shkojnë bashkë në veri te kryetarët e zgjedhur.

    Hajde po shkojmë unë e ti bashkë a guxon? Lehtë e ke prej Prishtinës hajde shkojmë bashkë në veri hijmë na në zyre rrimë bashkë me të”, ka thënë Krasniqi në seancën e Kuvendit.

    Një replikë, Kurtit i erdhi edhe nga Lumir Abdixhiku, i cili tha se Kosova ka gjasa t’i humbë aleatët. Për LDK-në, tha Abdixhiku, koordinimi me aleatët është patriotizëm, ndërsa për Kurtin, tradhti.

    “Jo vetëm pa aleatët, por me aleatët kundër nesh, vendi ynë nuk ka gjasë të shtrojë as sovranitetin, as integritetin, as stabilitetin. Vendi ynë ka gjasë të humbasë edhe aleatët, edhe sovranitetin. Në këtë rrugë po na dërgon Albin Kurti”, deklaroi Abdixhiku.

    “Në një përballje të tillë fitues do të dalin vetëm ushqyesit popullsitë”.

    E, të dy liderët e patën një thirrje të përbashkët, që të arrestohen pjesëtarët e bandave kriminale në veri, të cilët kryeministri tha se i kanë identifikuar.

    Si për ta theksuar aftësinë retorike që e karakterizon, Kurti me ironi iu përgjigj kërkesave të dy liderëve opozitarë.

    “Unë e kom një pyetje për juve. Arrestimi i këtyre kriminelëve me koordinim, a pa koordinim. Qysh po thoni ju? Për shkak të diskursit tuaj duhet tua bëjë këtë pyetje shtesë”, u shpreh kryeministri Kurti.

    Ndërkaq, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, seancën e jashtëzakonshme e përdori për të bërë thirrje për rrëzim të Qeverisë Kurti.

    Ai kërkoi nga deputetët që të votojnë mocionin e mosbesimit që ka nisur partia e tij.

    “Propozoj të shkojmë në mocion dhe ta ndërprejmë mosbesimin deri në pabesi, poshtërimin deri në armiqësi dhe mashtrimin deri në tradhti, të shkarkojmë Qeverinë Kurti”, ka qenë kërkesa e Haradinajt për deputetët e Kuvendit.

    Me t’i kryer përballjet me liderët opozitarë, kryeministri Kurti mori hov për të dalur nga salla. E këtu pasoi një replikë e deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri.

    “Kryeministër është mirë me nejt me i dëgju deputetët, e jo me i ikë përgjegjësisë as këtu e as në veri, prandaj kthehu e ulu në karrikë, se qeshtu ke ikë edhe prej veriut”, i është drejtuar Tahiri-Kurtit, i cili megjithatë la sallën e Kuvendit.

    Debati parlamentar vazhdoi me replika e kundër-replika nga deputetët e pozitës dhe opozitës, ku këta të fundit fajësuan kryeministrin Kurti se e ka sjellur Kosovën në këtë pikë. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!